Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi sot se SHBA-ja mbetet ende "aleati më i madh" i Evropës, duke kërkuar të minimizojë tensionet pasi Uashingtoni publikoi strategjinë e tij të sigurisë kombëtare, duke akuzuar Evropën për mbirregullim, censurë dhe dobësi përballë sfidave të migracionit.
Duke folur në Forumin e Dohas në Katar, Kallas pranoi se pjesë të dokumentit të SHBA-së ishin kritike ndaj institucioneve evropiane, por këmbënguli që partneriteti transatlantik të mbetej i paprekur.
"Sigurisht, ka shumë kritika, por mendoj se disa prej tyre janë gjithashtu të vërteta. SHBA është ende aleati ynë më i madh. Nuk kemi qenë gjithmonë dakord për tema të ndryshme, por parimi i përgjithshëm është ende aty. Ne jemi aleatët më të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë së bashku", tha Kallas, transmeton KosovaPress.
Strategjia e re, e zbuluar herët të premten në mëngjes në Uashington, shënon një ndryshim të rëndësishëm nga politika e mëparshme e SHBA-së, duke kodifikuar kritikat disamujore të Presidentit Donald Trump ndaj Evropës.
Dokumenti akuzon kontinentin se është tepër i rregulluar, vuan nga rënia e "vetëbesimit" dhe përjeton "fshirje qytetëruese" për shkak të imigracionit. Ai pretendon se institucionet evropiane "minojnë lirinë dhe sovranitetin politik" dhe parashikon se, nëse trendet aktuale vazhdojnë, Evropa do të jetë "e panjohshme në 20 vjet ose më pak".
Teksti gjithashtu sugjeron se qeveritë evropiane po dështojnë të përkthejnë mbështetjen publike për paqen në politika për shkak të kufizimeve të brendshme politike, raporton Anadollu.
Pavarësisht retorikës në rritje, Kallas argumentoi se bashkëpunimi me Uashingtonin mbetet thelbësor.