Sherr masiv në Angli, shqiptari përpiqet të qetësojë situatën

- Bota Sot

Sherr masiv në Angli, shqiptari përpiqet të qetësojë situatën

Skena të pazakonta shpërthyen në fund të ndeshjes mes Bristol City dhe Millwall, e vlefshme për javën e 19-të të Championship, ku miqtë fituan minimalisht 0:1.

Menjëherë pas vërshëllimës së fundit, tensionet që ishin ndier gjatë gjithë takimit shpërthyen hapur mes lojtarëve dhe stafit të të dyja ekipeve.

Gjatë momentit tradicional të shtrëngimit të duarve, trajneri i Millwall-it, Alex Neil, refuzoi të përshëndeste kolegun e tij të Bristol City-t, Gerhard Struber.

Ky veprim ndezi menjëherë gjakrat: kapiteni i Bristol City-t, Jason Knight, reagoi duke e shtyrë trajnerin kundërshtar çka nxiti përplasje të menjëhershme mes futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafit teknik.

Në sekonda, situata u përshkallëzua, me disa lojtarë që u përfshinë në konfrontime fizike, ndërsa pjesë të stafit u përpoqën t’i ndanin me forcë.

Trajneri Alex Neil e mohoi menjëherë pas ndeshjes se kishte refuzuar qëllimisht shtrëngimin e duarve, por ajo çfarë kishte nisur tashmë kishte shkaktuar kaos në fushë.

Mes gjithë kësaj zallamahie, shqiptari Anis Mehmeti u pa vetëm në një moment të shkurtër, duke u përpjekur të ndante dhe të qetësonte futbollistët e përfshirë në sherr.

Ai qëndroi larg konfliktit, duke tentuar të shmangte përshkallëzimin e mëtejshëm.

Për Bristol City-t humbja është shumë e rëndë, pasi me këtë rezultat skuadra zbret jashtë zonës së “play-off”, duke shtuar presionin në garën për ngjitjen në Premier League.

Ndërkohë, pritet që Federata Angleze të analizojë pamjet dhe të marrë masa disiplinore për incidentin e turpshëm që ka tërhequr vëmendjen e medieve në mbarë vendin.



Read it all at Bota Sot