Shtatë persona humbën jetën dhe 11 të tjerë u plagosën të shtunën në mëngjes, pasi një autobus ndërurban u përplas me një kamion në një autostradë në jug të Turqisë, njoftoi zyra e guvernatorit rajonal.
Ngjarja tragjike ndodhi në aksin rrugor që lidh qytetet Adana dhe Gaziantep. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, autobusi goditi nga pas një rimorkio kamioni që ishte ndalur në anë të rrugës për shkak të një gome të shfryrë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan pjesën e djathtë të përparme të autobusit të shkatërruar rëndë pas përplasjes, rreth 90 kilometra në perëndim të Gaziantepit.
Të gjithë viktimat dhe të plagosurit ishin pasagjerë të autobusit. Autoritetet po vijojnë identifikimin e viktimave, ndërsa shoferi i kamionit, që arriti të mbijetojë, është marrë në paraburgim. Ndërkohë, policia ka mbyllur përkohësisht segmentin rrugor për të kryer hetimet.