Ardian Nuhiu e sheh rrugëdaljen

- Bota Sot

Ardian Nuhiu e sheh rrugëdaljen

Tirana pësoi një tjetër humbje në Superiore, këtë herë 0-2 ndaj Partizanit në derbin e kryeqytetit në “Air Albania”, duke e thelluar krizën e saj në fundin e tabelës me vetëm 7 pikë pas 15 javësh.

Trajneri i bardhebluve, Ardian Nuhiu, analizoi paraqitjen e skuadrës dhe situatën aktuale në një prononcim për mediet.

“Jemi të rënduar në aspektin psikologjik. Në pjesën e parë prisja që skuadra të kërkonte më shumë, por na mungoi kreativiteti për të gjetur golin. Në të dytën, kundërshtari nuk na dha shumë hapësira.

Pozitive ishte vetëm mbështetja e tifozëve, për të cilët kërkoj ndjesë. Pranojmë gola të lehtë, madje aksidentalë, dhe po mundohemi të punojmë për të përmirësuar situatën,” deklaroi Nuhiu.

Trajneri theksoi ndikimin e dëmtimeve dhe mbingarkesës së ndeshjeve: “Skuadra po lodhet. Provuam me të gjitha forcat, por nuk arritëm të shfrytëzonim mundësitë. Na mungoi kreativiteti në goditjen finale, veçanërisht në krahun e djathtë, ku prisja më shumë shkëndija sulmuese.”

Për të ardhmen, Nuhiu paralajmëroi ndërhyrje në merkato: “Do bëjmë një analizë të thellë për të ruajtur grupin dhe për të shtuar disa komponentë në sulm dhe mesfushë.

Besoj fuqishëm te puna dhe taktika jonë.

Nëse e forcojmë skuadrën, kam besim se do të dalim nga kjo situatë dhe do të luftojmë për rezultate më pozitive në vijim.”

Në fund, trajneri theksoi nevojën për mobilizim maksimal në tri ndeshjet e ardhshme para pushimeve, për të shmangur largimin më tej nga rivalët dhe për të rikthyer moralin në ekip.



Read it all at Bota Sot