Unitedi konfirmon largimin e ish-lojtarit nga pozita e tij në klub

- Bota Sot

Unitedi konfirmon largimin e ish-lojtarit nga pozita e tij në klub

Manchester United ka njoftuar se Jonny Evans ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si drejtues i huazimeve dhe zhvillimit të talenteve.

Ish-mbrojtësi e mori këtë rol në qershor, menjëherë pasi i dha fund karrierës së tij si futbollist, por është larguar vetëm gjashtë muaj më vonë.

Detyrat e tij përfshinin organizimin e huazimeve për lojtarët e rinj premtues dhe bashkëpunimin me Jason Wilcox për të “përmirësuar proceset që maksimizojnë zhvillimin individual të futbollistëve dhe t’i përgatisin ata për të luajtur në ekipin e parë”.

Në ditën e emërimit, Evans kishte deklaruar: “Mezi pres të punoj me gjeneratën e ardhshme të lojtarëve të talentuar dhe t’i ndihmoj ata të arrijnë potencialin e tyre”.

Tani, 37-vjeçari ka vendosur të largohet për t’i dhënë përparësi kohës me familjen e tij, dhe besohet se do të marrë një pushim nga futbolli para se të vendosë për hapin e radhës në karrierë.

Burime nga United kanë konfirmuar se ndarja ka ndodhur në mënyrë miqësore dhe se Evans largohet me mbështetjen dhe mirënjohjen e klubit, raporton “The Mirror”.

Kalimi i Evans në një rol administrativ shënoi fundin e karrierës së tij të gjatë si lojtar.

Qendërmbrojtësi pati dy periudha të ndryshme te Manchester United pasi kaloi nëpër akademinë e klubit dhe grumbulloi gjithsej 241 paraqitje për “Djajtë e Kuq”.

Reprezentuesi i Irlandës së Veriut fitoi Ligën e Kampionëve, tre tituj të Premierligës, FA Cup dhe dy League Cup gjatë periudhës së tij në “Old Trafford”, ndërsa në total ka luajtur 536 ndeshje në karrierë.

Ai ka përfaqësuar Irlandën e Veriut 107 herë dhe në vitin 2023 u nderua me titullin MBE për kontributin e tij në sport.

Në vitin 2015 ai u bashkua me Ëest Brom, e më pas kaloi te Leicester City, ku u shqua nën drejtimin e Brendan Rodgers, duke fituar FA Cup në vitin 2021.

Evans u rikthye tek United me parametra të lirë nën drejtimin e Erik ten Hag, fillimisht duke u paguar me pagën minimale pasi ishte regjistruar si punonjës afatshkurtër.

Në nëntor, Evans u paraqit në “Monday Night Football” në “Sky Sports”, ku analizoi sistemin e Ruben Amorim te Manchester United.

Duke shpjeguar qasjen taktike të trajnerit, ai tha: “Shumicën e herës, ideja është t’i lësh portierit hapësirë; nuk duhet të jesh në majë të këmbëve të tij. Ai pëlqen ta mbajë strukturën e ekipit të pandryshuar, pa shumë lëvizje. Në vend që e gjithë pesëshja e mbrojtjes të zhvendoset në një drejtim, ai thjesht zhvendos njërin lojtar”.



Read it all at Bota Sot