Një gjykatë turke ka dërguar në paraburgim 20 të dyshuar, përfshirë futbollistë të Superligës së Turqisë, në pritje të gjykimit lidhur me një hetim të zgjeruar për baste në futboll, raportoi sot Agjencia Shtetërore Anadolu.
Javën e kaluar, prokurorët urdhëruan ndalimin e 46 personave – mes tyre lojtarë, presidentë klubesh, komentatorë dhe një gjyqtar – nën dyshimet për bastvënie të brendshme në ligat profesioniste të Turqisë.
Sipas “Anadolu”, mes të ndaluarve që u arrestuan zyrtarisht dhe u dërguan në burg janë futbollisti i Galatasarayt Metehan Baltaci, lojtari i Fenerbahçes Mert Hakan Yandaş dhe ish-presidenti i Adana Demirspor, Murat Sancak.
“Anadolu” raportoi se Baltaci i ka thënë gjykatës se ka vendosur baste në disa ndeshje kur ishte pjesë e ekipit të të rinjve, por nuk e ka bërë më që kur u bashkua me skuadrën e parë të Galatasarayt.
Ndërkohë, Yandaş i Fenerbahçes, sipas gazetës “Sabah”, ka deklaruar në dëshminë e tij se mohon çdo përfshirje në bastvënie për ndeshje.
Sipas gazetës “Cumhuriyet”, Sancak ka thënë në gjykatë se nuk ka pasur asnjëherë llogari bastesh dhe se nuk ka vendosur kurrë baste për ndeshje.
Përfaqësuesit e dy lojtarëve dhe ish-presidentit të klubit nuk ishin të gatshëm menjëherë për koment.
Muajin e kaluar, Federata Turke e Futbollit pezulloi 149 gjyqtarë dhe asistentë, pasi një hetim zbuloi se zyrtarë të ligave profesionale kishin vendosur baste për ndeshje.
Hetimet më pas u zgjeruan edhe më tej me arrestimin e tetë personave, përfshirë kryetarin e një klubi të elitës, si dhe pezullimin e 1,024 lojtarëve nga të gjitha ligat, të cilëve TFF u vendosi ndalesa.