Interi mori një goditje të rëndë në fillim të sfidës së madhe të Champions League kundër Liverpool-it, pasi Hakan Calhanoglu u detyrua të largohej nga fusha që në minutën e 11-të.
Mesfushori turk u kap për zonën e rrëzës së kofshës së djathtë dhe, pas disa çasteve shqetësimi, dha shenja se nuk mund të vazhdonte lojën.
Trajneri Cristian Chivu reagoi me urgjencë, duke aktivizuar Piotr Zielinskin.
Mesfushori polak u fut në fushë pas një ngrohjeje të shkurtër, ndërsa stafi mjekësor i zikaltërve nisi menjëherë vlerësimin e gjendjes së Calhanoglu.
Largimi i tij ka ngritur shqetësime të mëdha për Interin, jo vetëm për ndeshjen ndaj Liverpool-it, por edhe për vazhdimësinë e sezonit, duke qenë se Calhanoglu është një nga shtyllat kryesore të lojës në mesfushë.
Zikaltrit mbeten në pritje të analizave të para për të kuptuar seriozitetin e dëmtimit dhe nëse bëhet fjalë për një problem muskulor që mund ta mbajë larg fushave për disa ndeshje.
Për momentin, tek Interi mbizotëron ankthi, ndërsa tifozët shpresojnë që dëmtimi të mos rezultojë i rëndë dhe që numri 20 të rikthehet sa më shpejt në dispozicion.