Magjia e Ligës së Kampionëve vazhdon sonte me duelet e radhës në kuadër të xhiros së gjashtë të fazës së ligës.
Super ndeshja e mbrëmjes do të luhet në “Santiago Bernabeu”, ku Real Madridi pret Manchester Cityn.
Të dyja skuadrat kërkojnë fitoren për të hedhur hap vendimtar drejt fazës së 1/8-tës.
Ndërkohë, lideri i vetëm i garës, Arsenali, luan në udhëtim kundër Club Brugge. Një fitore për “Topçinjtë” do të siguronte matematikisht vendin në mesin e tetë skuadrave të para, duke vulosur kualifikimin direkt.
Sfide e fortë pritet edhe në Bilbao, ku Paris Saint-Germain përballet me Athletic-un. PSG kërkon tre pikë që do ta afrojnë ndjeshëm me kualifikimin, ndërsa vendasit synojnë rezultat që i mban në garë për zonën e play-offit.
Në Torino, Juventusi i Edon Zhegrovës pret skuadrën qipriote, Pafos, në një ndeshje ku ylli kosovar pritet të jetë titullar në këtë duel.
Sfidë interesante parashikohet të jetë edhe përballja mes Bayer Leverkusen dhe Newcastle United, ndërsa një duel tjetër i fortë luhet mes Benficës dhe Napolit.
Nga ndeshjet e tjera të mbrëmjes: Borussia Dortmund pret Bodo/Glimt, Ajaxi zhvillon ndeshjen në udhëtim ndaj Qarabagut, ndërsa Villarreali është nikoqir i Copenhagenit.