Ish-mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, ka analizuar krizën e bardhezinjve në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, duke sjellë kritika të forta ndaj mënyrës se si është ndërtuar skuadra gjatë viteve të fundit.
“Prej dy-tre vitesh po gabohen hapat në ndërtimin e ekipit.
Sa herë në historinë e saj Juventusi ka shkarkuar trajnerin në muajt e parë? Dhe sa herë janë ndryshuar drejtuesit vetëm pas një sezoni?”
Marchisio ndaloi edhe te çështja e lidershipit në grup, duke u shprehur hapur për mungesën e sakrificës nga disa lojtarë: “Jo, problemi nuk është te lidershipi.
Thjesht duhet më shumë nga të gjithë. Më duket sikur ka futbollistë që ende nuk e kanë kuptuar çfarë do të thotë të veshësh fanellën e Juventusit.
Jonathan David futet në lojë dhe ecën, pa shpirt gare.
Kur je te Juventusi në një moment të vështirë, duhet një qëndrim krejt tjetër. Këtë sheh sot tifozi: shumë prej tyre nuk po japin atë që duhet.”