FIFA ka njoftuar se do të zbatojë pushime tre-minutëshe për hidratim në çdo gjysmë të çdo ndeshjeje të Kupës së Botës së ardhshme, një masë që do të aplikohet pavarësisht kushteve klimatike.
Kjo do të thotë se ndërprerjet për pije do të jenë të detyrueshme, pavarësisht nëse ndeshjet luhen në Shtetet e Bashkuara, Kanada apo Meksikë, apo nëse stadiumet janë të mbuluara dhe me ajër të kondicionuar.
Arbitri do të ndërpresë lojën 22 minuta pas fillimit të secilës pjesë, duke siguruar që lojtarët të kenë mundësi të hidratohen.
Ky ndryshim pritet të jetë i dobishëm edhe për transmetuesit, pasi e bën orarin e ndeshjeve më të parashikueshëm. Ideja për këtë praktikë u prezantua për herë të parë kur Manolo Zubiria, drejtori kryesor i turneut për Kupën e Botës 2026, mori pjesë në një takim me transmetuesit.
Për shumë tifozë, trajnerë dhe lojtarë, kjo risi do t’i ndajë ndeshjet në katër “çerekë”, njësoj si në ligat kryesore amerikane si NFL, NBA dhe WNBA, ku koha midis çerekëve është e vlefshme për transmetuesit për shitjen e reklamave.
Zubiria theksoi se gjyqtarët do të kenë njëfarë fleksibiliteti nëse ndodh një ndërprerje pak para minutës së 22-të për shkak të një dëmtimi, duke lënë vend për vendime në moment. FIFA e ka cilësuar këtë masë si një “version efektiv dhe të thjeshtuar” të një praktike të mëparshme, e cila parashikonte pushime pas 30 minutash lojë vetëm nëse temperatura kalonte një prag të caktuar, dikur 32°C.
Vendimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga nxehtësia dhe lagështia që prekën lojtarët gjatë disa ndeshjeve të Kupës së Botës për Klube të këtij viti në SHBA. Gjatë atij turneu, FIFA reagoi duke ulur pragun për pushimet e ftohjes ose të ujit dhe duke vendosur më shumë ujë e peshqirë rreth fushës.
Problemi i nxehtësisë ka qenë i pranishëm prej kohësh në turnetë e mëdha të futbollit; përpara Kupës së Botës 2014, një gjykatë braziliane urdhëroi FIFA-n të bënte të detyrueshme pushimet e rekomanduara, në të kundërt do të përballej me gjoba.
Një raport i shtatorit nga Football for the Future, Common Goal dhe Jupiter Intelligence zbuloi se 10 nga 16 qytetet pritëse të Kupës së Botës 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada janë në rrezik shumë të lartë nga kushtet ekstreme të stresit termik.