Torino përjetoi një tronditje të fortë drejtimi pas humbjes së fundit ndaj Milanit, me klubin që njoftoi shkarkimin e Davide Vagnati-t nga posti i drejtorit sportiv.
Vendin e tij e merr Gianluca Petrachi, figurë e njohur për tifozët “granata”, i cili ka drejtuar merkaton e Torinos nga viti 2010 deri në 2019.
Vagnati pagoi pasojat e një merkatoje verore të pasuksesshme.
Investimet nuk dhanë rezultat dhe asnjë nga afrimet, nga 8 milionët për Zakaria Aboukhlal te huazimet e Asllanit dhe Ngonge, nuk arriti të ndikojë në ecurinë e skuadrës. Kjo shtyu presidentin Urbano Cairo të rikthejë njeriun që vite më parë kishte firmosur goditje të rëndësishme si Alessio Cerci, Ciro Immobile, Matteo Darmian dhe Andrea Belotti.
Petrachi u largua në vitin 2019 për t’iu bashkuar Romës, në një lëvizje që shkaktoi tensione me presidentin Cairo.
Megjithatë, palët i kanë lënë pas mosmarrëveshjet dhe drejtori, pas aventurës së tij të fundit te Salernitana, është gati të nisë kapitullin e dytë në Torino. Ai pritet të vizitojë ekipin dhe nesër të prezantohet zyrtarisht para mediave.
Në komunikatën zyrtare, klubi falënderon Vagnati-n për punën e bërë gjatë gati gjashtë viteve, ndërsa i uron suksese në të ardhmen.