Rrjeti italian i pagesave Bancomat synon të lëshojë një monedhë digjitale "të denominuar në euro" në bashkëpunim me huadhënësit kryesorë vendas dhe Ministrinë e Ekonomisë, tha drejtori ekzekutiv i kompanisë Fabrizio Burlando.
Disa emetues e lidhin paranë e tyre digjitale me monedhat standarde, më shpesh dollarin, por edhe me mallra të tilla si ari dhe argjendi dhe me instrumente financiare në mënyrë që të shmangin luhatjet e papritura në vlerën e saj.
Bancomat synon të vërë në qarkullim stablecoin vitin e ardhshëm dhe të ofrojë qasje në institucione të tjera të rregulluara italiane dhe evropiane për të inkurajuar përdorimin e saj.
Ndryshe nga paratë e rregullta në një kartë, një stablecoin mundëson transaksione të menjëhershme digjitale pa ndërhyrjen e bankave dhe sistemeve tradicionale të pagesave, dhe ndryshe nga kriptovalutat e tjera, nuk ka luhatje të theksuar në vlerë.
Bancomat operon rrjetin e bankomateve të Italisë dhe ka përmirësuar shërbimet digjitale pas një investimi 75 milionë euro nga fondi i investimeve FSI në vitin 2024, në këmbim të një pjese prej 43 për qind, transmeton KosovaPress.
Vlera e tregut global të stablecoin ishte pothuajse zero në vitin 2014 dhe që atëherë është rritur në rreth 300 miliardë dollarë deri më 2025, njoftoi Autoriteti Bankar Evropian (EBA) javën e kaluar, duke i nxitur huadhënësit të "menaxhojnë me kujdes" rreziqet që rrjedhin nga ndërveprimi i tyre me tregun e stablecoin.
17 institucione në dhjetë vende evropiane lëshojnë 27 stablecoin që janë të regjistruara te rregullatori ESMA sipas Rregullores Evropiane të Aseteve Kripto (MiCA), tha raporti i EBA-s.
Që kur rregullorja MiCA hyri në fuqi më 2024, vlera e stablecoin të lidhur me euron është dyfishuar dhe tani është rreth 500 milionë dollarë, sipas llogaritjeve nga firma globale e përpunimit të pagesave DECTA. Vëllimi i tyre mujor është rritur dhjetëfish, në 3.83 miliardë dollarë, llogariti DECTA.
Monedha digjitale e denominuar në euro dhe në përputhje me rregulloren MiCA u lëshua për herë të parë nga banka franceze Societe Generale në vitin 2023, përmes një dege të kripto-aseteteve të quajtur EUR CoinVertible, por përdorimi i saj është i kufizuar për momentin, me vetëm 64.7 milionë euro në qarkullim.
Tregu dominohet nga stablecoin e denominuar në dollarë, me një pjesë prej 98 për qind, me dy emetuesit kryesorë Tether dhe Circle që kontrollojnë përkatësisht 56 dhe 25 për qind të tregut, njoftoi banka qendrore italiane në shtator.