Sulmuesi suedez nuk merr leje për të dëshmuar

- Bota Sot

Sulmuesi suedez nuk merr leje për të dëshmuar

Arsenali ka refuzuar t’i japë leje Viktor Gyökeres-it që të udhëtojë drejt Suedisë për të dëshmuar në një proces gjyqësor, ku ai ishte thirrur si dëshmitar kyç.

Për pasojë, seanca gjyqësore është shtyrë për vitin 2026, pasi mungesa e sulmuesit e bën të pamundur zhvillimin e saj në këtë fazë.

Çështja në fjalë ka të bëjë me një përplasje mes agjentit të Gyökeres, Hasan Cetinkaya, dhe dy medieve suedeze, Expressen dhe Fotboll Sthlm.

Këto të fundit publikuan pretendime që e lidhnin Cetinkaya-n dhe agjencinë e tij, HCM Sports Management, me grupe kriminale, akuza që agjenti i ka mohuar në mënyrë kategorike.

Si kundërpërgjigje, ai ka ngritur një padi për shpifje të rëndë ndaj mediave suedeze.

Gyökeres ishte parashikuar të dëshmonte në këtë proces si një nga figurat kryesore të çështjes, por sipas Expressen, Arsenali nuk ka dhënë autorizimin që sulmuesi të mungojë në detyrimet profesionale për të marrë pjesë në gjyq.

Mediet suedeze raportuan në një njoftim të ri:

“Agjenti i futbollit, Hasan Cetinkaya, ka paditur Expressen për shpifje të rëndë pas një hetimi.

Gjykimi tani është shtyrë. Arsyeja: futbollisti Viktor Gyökeres, i kërkuar si dëshmitar, nuk ka marrë leje nga klubi i tij, Arsenali.”

Kjo situatë vjen në një moment të rëndësishëm të karrierës së Gyökeres në Angli.

Pas transferimit të tij të madh verën e kaluar nga Sportingu te Arsenali, sulmuesi po përpiqet të gjejë vazhdimësi dhe ritëm.

Deri tani, ai ka shënuar gjashte gola në 18 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke kërkuar të rikthejë shkëlqimin që tregoi gjatë dy viteve të fundit në Lisbonë.

Çështja gjyqësore dhe shtyrja e saj shtojnë edhe një element të ri në një sezon ku Gyökeres është i fokusuar për t’u afirmuar plotësisht në Premier League.



Read it all at Bota Sot