Luka Modriç flet hapur: I befasuar nga personaliteti i Allegrit

- Bota Sot

Luka Modriç flet hapur: I befasuar nga personaliteti i Allegrit

Luka Modriç ka rrëfyer emocionet e muajve të parë në Milano, gjatë fjalës së tij në skenën e ‘Gazzetta Awards’. Mesfushori kroat, i cili këtë sezon po shkëlqen me fanellën e Milanit të Massimiliano Allegri-t, u shpreh se është duke e shijuar në maksimum këtë etapë të re të karrierës.

“Ndihem shumë mirë, më pëlqen ajo që bëj. Jam mirë fizikisht dhe mendërisht, po argëtohem dhe gjithçka po shkon si duhet. Shpresoj të vazhdoj kështu”, tha Modriç, duke nënvizuar se përshtatja në Milano ka qenë më e lehtë sesa e priste.

Kroati foli edhe për aventurën e tij në Serie A:

“Po bëj një punë të mirë me Milanin, një nga klubet e mi të preferuar. Që fëmijë ëndërroja të luaja për këtë skuadër të madhe. Futbolli italian është shumë ndryshe nga ai spanjoll, por është një kampionat tepër konkurrues. Jashtë Italisë nuk e kuptojnë sa i vështirë është. Nuk jam befasuar, sepse gjithmonë e kam parë kështu”.

Në Milano, Modric ka gjetur në stol Massimiliano Allegri-n, për të cilin pati vetëm fjalë pozitive:

“Është një trajner i madh, një fitues.

Më ka befasuar për personalitetin e tij.

Më pëlqen të punoj me të, sepse di si të menaxhojë kampionët e mëdhenj”.

I pyetur për situatën dramatike të Italisë, që ndodhet në playoff për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026, Modric u shpreh i drejtpërdrejtë:

“Do të ishte një tragjedi të mungonte përsëri në Botëror, për të tretën herë radhazi. Shpresoj shumë që Italia të kualifikohet, sepse në atë turne duhet të jenë të gjitha skuadrat më të mira”.



Read it all at Bota Sot