Brazili, i magjepsur nga Carlo Ancelotti: CBF synon rinovimin deri në vitin 2030

- Bota Sot

Brazili, i magjepsur nga Carlo Ancelotti: CBF synon rinovimin deri në vitin 2030

Carlo Ancelotti ka vetëm gjashtë muaj që drejton Kombëtaren e Brazilit, por puna e tij ka mjaftuar që Federata Braziliane e Futbollit (CBF) ta konsiderojë prioritet absolut rinovimin e kontratës së tij. I ardhur në qershor të vitit 2025 me misionin e menjëhershëm për të kualifikuar ‘Canarinhat’ në Kupën e Botës 2026, tekniku italian jo vetëm që e realizoi objektivin, por ka bindur drejtuesit se ai është njeriu i duhur për një projekt afatgjatë.

Sipas medieve braziliane, CBF është duke përgatitur një ofertë të re për Ancelotti-n, me kontratë deri në vitin 2030, e cila do ta kthente në trajnerin më të paguar të një kombëtareje në mbarë botën. Iniciativa është mbështetur fort nga presidenti Samir Xaud dhe synon të ndërtojë një cikël të qëndryeshëm nën drejtimin e trajnerit italian.

Pavarësisht disa rezultateve jo plotësisht bindëse, si barazimi 1-1 me Tunizinë, humbja 3-2 ndaj Japonisë dhe vendi i pestë në kualifikueset me 28 pikë, besimi te Ancelotti mbetet i palëkundur. Brazilit, në fazë rindërtimi, i janë parë luhatje në lojë, por puna e Carlettos dhe autoriteti i tij në grup kanë bindur federatën se projekti duhet vazhduar.

Vetë Ancelotti ka lënë të nënkuptohet se rinovimi është i mundur, madje edhe me humor, duke deklaruar: “Kontrata para Botërorit kushton më pak; pas tij mund të jetë më e shtrenjtë.”

Ndërkohë, shorti i Botërorit 2026 e ka vendosur Brazilin në Grupin C, së bashku me Marokun, Haitin dhe Skocinë, ku konsiderohet favorit krahas ekipit afrikan. Kualifikimi u arrit direkt falë formatit të ri me 48 skuadra, pa pasur nevojë për fazën playoff.



Read it all at Bota Sot