Trajneri i Flamurtarit, Francesco Moriero, u shpreh i shqetësuar, por edhe i kënaqur, nga paraqitja e skuadrës së tij pas humbjes 2-1 ndaj Partizanit.
“Është normale të jem i shqetësuar kur nuk ia del të fitosh ndeshje të tilla, por ekipi është gjallë dhe duhet të vazhdojmë punën. Klasifikimi është i ngjeshur dhe ne duhet të ecim përpara,” deklaroi trajneri italian.
Moriero theksoi se skuadra kishte nisur ndeshjen me shumë ritëm dhe krijoi disa raste të shpejta: “Zbritëm në fushë për të fituar, kishim 4-5 raste vetëm në 10 minutat e para. Por, si shpesh ndodh, me gabimin e parë pësojmë gol.
Skuadra reagoi, ishte e përqendruar dhe krijoi raste të tjera, por episodi i penalltisë na preu këmbët.”
Ai vlerësoi paraqitjen e lojtarëve dhe vendosjen në fushë: “Sot Flamurtari luajti një ndeshje të rëndësishme. Lojtarët sulmuan, mbrojtën dhe luajtën një kundër një. Rezultati nuk pasqyron ecurinë e ndeshjes, por në fund humbëm.”
Moriero shpjegoi edhe momentin e golit të Partizanit: “Aksioni erdhi nga një top i gjatë që humbëm në ajër. Kishim kaluar shumë lart dhe duhej ta administronim më mirë topin. Por skuadra bëri atë që i kërkova, nuk mund të qortoj asgjë ndaj lojtarëve.”
Megjithatë, trajneri mbajti një ton pozitiv dhe motivues për të ardhmen: “Na duhen rezultatet, por kjo ndeshje tregon se kemi karakter dhe mund të luftojmë për çdo pikë në vijim.”