Dinamo City pret sot në mbrëmje Egnatian (ora 19:00), një ndeshje që do të transmetohet direkt në RTSH. Një sfidë rivalësh, e vlefshme për javën e 16-të të Abissnet Superiore dhe që pritet të dhurojë emocione.
Në tribunën e stadiumit “Air Albania” do të jetë sot edhe një tifoz special për Dinamo City, Baton Zabërgja. Lojtari që spikati sezonin e fundit me fanellën e “Nëndetëses”, tani luan në Ukrainë. Ai është nominuar për çmimin “Topi i Artë 2025”, që jepet të hënën në një mbrëmje Gala, ndaj dhe ndodhet në Tiranë.
Zabërgja nuk mund ta humbiste rastin për të ndjekur nga afër skuadrën, ku kaloi dy sezone pozitive. Sezoni i fundit ishte perfekt për lojtarin e Kosovës, me 12 gola të shënuar dhe një performancë të jashtëzakonshme.
Protagonist absolut në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë të fituar nga blutë, por edhe në Europë, me 3 gola të shënuar para largimit drejt Ukrainës. I fundit pikërisht në “Air Albania”, në kualifikimin e madh ndaj Hajduk Split, me rezultatin 3-1.
Përveç Baton Zabërgjës, Dinamo City ka edhe Dejvi Bregun mes 4 lojtarëve të nominuar për çmimin e “Topit të Artë 2025”.