Trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, u shpreh pas barazimit 1-1 me Tiranën se skuadra e tij bëri shumë gabime.
“Statistikat flasin vetë, nuk po marrim vendimet e duhura. Janë tre barazime rresht, me Elbasanin dy shtylla. Nuk e nisëm ndeshjen mirë, nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, të jemi të ndërgjegjshëm. Kush është arsyeja do ta analizojmë.
Do e marr unë përgjegjësinë, ndoshta ekipi nuk e interpretoi si duhet, por mendoj se çaluam për të krijuar situata që gjatë javës jemi munduar në stërvitje. E dinim që do të ishte e vështirë, sepse luanim me një ekip që nuk ka çfarë humb, është derbi me Tiranën.
Golin e morëm shumë lehtë, na kanë dhënë vlera për mënyrën si interpretojmë balancën, kurse në këtë ndeshje kemi bërë shumë gabime, që nuk kanë ndodhur përpara. Duhet të jesh më kërkues, në këto momente të vështira duhet të japësh diçka më shumë.
Nga unë i pari, duhet të japim 5-10% më shumë, të jemi më kërkues. Folëm me djemtë, duhet që të marrë secili përgjegjësitë që i takojnë, i pari unë. Të kthehemi te loja, identiteti dhe personaliteti që kemi treguar në ndeshjet e mëparshme.
Do të bëjmë analizën më të saktë në vijim, por e pranova që nuk ishin vetvetja. Nuk funksionoi dhe duhet ta pranojmë që ndodhin ndeshje të tilla. Duhet të reflektojmë kush janë arsyet, do të jemi më të zgjuar. E prisnim Tiranën në kundërsulm, por ndonjëherë nëse nuk interpretohet siç duhet, të krijon probleme.
Kishim probleme të ekuilibrit kur na dilnim në kundërsulm. Janë ndoshta edhe zgjedhjet, por nuk gjej justifikimin që na mungoi dikush. Edhe ekipeve të mëdha, po t’u ikin 2-3 lojtarë, ka probleme. Këto janë mundësi për ata që janë në grup, të tregojnë vlerat. Ndonëse kishim kontrollin, Tirana ishte e rrezikshme në kundërsulme, kemi bërë shumë gabime në pasime në metrat e fundit.
Tani të marrim masat dhe përgjegjësitë. Kemi luajtur me katër sulmues, por kjo ndoshta na kushtoi të mos kishim ekuilibër. Mendoj që nëse Arifi do shënonte, ndeshja mund të merrte vazhdim tjetër.
Ne reaguam, po nuk kishim guximin, ekuilibrin, nuk ishim të matur dhe të të drejtë me zgjedhjet që bënim.
Nuk krijuam raste, detajet bëjnë ndryshimin. Goli i shpejtë ndoshta na futi në mendime, nuk e prisnim, na befasoi. Duhej të reagonte ndryshe ekipi”, – tha trajneri Dobi.