Njësi speciale kanë arrestuar pesë meshkuj në juglindje të Gjermanisë nën dyshimin e terrorizmit. Sipas Prokurorisë së Mynihut dhe policisë bavareze, u eleminua një "atentat i mundshëm ndaj një tregu Krishtlindjesh".
"Motivim islamist"
Sipas autoriteteve, meshkujt janë një egjiptian 56-vjeçar, një sirian 37-vjeçar dhe tre marokenë 22, 28 dhe 30 vjeç.
Sipas informacionit në dispozicion deri tani, egjiptiani, një predikues islamik, kishte nxitur njerëzit në një xhami lokale që "të vrasin ose të plagosin sa më shumë njerëz të jetë e mundur" me një automjet gjatë festave të Krishtlindjeve. Marokenët dyshohet se ishin të gatshëm të kryenin sulmin. Siriani dyshohet se inkurajoi burrat e tjerë në vendimin e tyre.
Hetuesit po punojnë me premisën se bëhej fjalë për një "veprim të motivuar nga islamistët".
Katër nga të dyshuarit janë tani në paraburgim, ndërsa i pesti është vendosur në "arrest parandalues" me urdhër gjykate. Arrestimet, të cilat u kryen të premten, u paraprinë nga hetime intensive. Këto u drejtuan nga Zyra Qendrore Bavarase për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit. "Nuk ishin të përfshira shërbime të huaja inteligjence," thanë Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe policia.
Ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann, lavdëroi "bashkëpunimin e shkëlqyer" të autoriteteve të sigurisë së landit të tij. Kjo tregon në mënyrë mbresëlënëse "përgjigjen dhe performancën e tyre të mirë". Dhe është vërtetuar: "Ne jemi në gjendje të mbrojmë qytetarët tanë!" Tani duhet të sqarohen motivet, shtoi politikani nga partia konservatore CSU.
Autoritetet e sigurisë në gatishmëri të lartë
Pazaret e Krishtlindjeve në Gjermani prej kohësh kanë qenë në qendër të vëmendjes së veçantë të autoriteteve të sigurisë, edhe për shkak të sulmeve të mëparshme. Në dhjetor 2016, për shembull, një islamist i radikalizuar drejtoi një kamion në një grumbull njerëzish në sheshin Breitscheidplatz të Berlinit. Si përfundim, u vranë 13 vetë në atentat dhe si pasojë e atentatirt.
Në dhjetor të vitit të kaluar, një drejtues automjeti qëllimisht goditi turmën në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur më shumë se 300. Gjyqi i dorasit, një shtetas saudit që jeton në Gjermani që nga viti 2006, që e pranoi krimin, po zhvillohet aktualisht në Gjykatën Rajonale të Magdeburgut.