Zelensky paralajmëron zhvillime para takimit në Berlin

- Bota Sot

Zelensky paralajmëron zhvillime para takimit në Berlin

Ukraina ka njoftuar të shtunën se është e gatshme të bëjë kompromise të rëndësishme në propozimet për paqe me Rusinë, përpara se presidenti Volodymyr Zelensky të takohet në Berlin me përfaqësuesit amerikanë dhe ata evropianë. Deklarata u bë nga vetë Zelensky për gazetarët përmes aplikacionit WhatsApp, duke nënvizuar se sigurimet e sigurisë nga SHBA, Evropa dhe aleatët e tjerë, në vend të një anëtarësimi të drejtpërdrejtë në NATO, përbëjnë një nga kompromiset kryesore të Ukrainës në tryezën e bisedimeve.

"Që nga fillimi, dëshira e Ukrainës ishte të bashkohej me NATO-n, këto janë garanci reale sigurie. Disa partnerë nga SHBA-ja dhe Evropa nuk e mbështetën këtë drejtim", tha ai.

“Kështu, sot, garancitë dypalëshe të sigurisë midis Ukrainës dhe SHBA-së, garancitë e ngjashme me Nenin 5 për ne nga SHBA-ja dhe garancitë e sigurisë nga kolegët evropianë, si dhe nga vendet e tjera - Kanadaja, Japonia - janë një mundësi për të parandaluar një pushtim tjetër rus”, shtoi Zelensky.

Zelensky theksoi gjithashtu se një armëpushim i bazuar në vijat aktuale të frontit midis forcave ukrainase dhe rusëve mund të jetë një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme. Kjo shënon një lëvizje të dukshme taktike nga Ukraina, teksa kërkon të krijojë bazë për negociata më të gjerë paqësore.

Në Berlin kanë arritur përfaqësuesit e administratës së presidentit amerikan Donald Trump, Steve Whitkov dhe Jared Kushner, për të zhvilluar bisedime me Zelensky-n rreth një plani paqeje përfundimtar, sipas raportimeve të Associated Press. Qëllimi i këtij takimi është gjetja e një formule për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore evropiane.

Zelensky konfirmoi se do të takohet me përfaqësuesit amerikanë në Berlin gjatë ditës së sotme, në kuadër të takimeve të planifikuara që synojnë avancimin e propozimit të paqes.

Ai njoftoi se ende nuk ka marrë një përgjigje definitive nga Uashingtoni mbi ndryshimet që Ukraina ka propozuar ndaj planit amerikan të paqes, i cili ishte dakordësuar edhe me partnerët evropianë. Zelensky tha se ka marrë “mesazhe të shumta” nga ekipi negociator dhe është i gatshëm për dialogun e nisur sot, i cili shënon edhe atë që ai e quajti “Dita e Ukrainës dhe Amerikës në Berlin”.



Read it all at Bota Sot