Situata e Xabi Alonsos te Real Madridi vazhdon të tërheqë vëmendje, me trajnerin 44-vjeçar që rrezikon të shkarkohet vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës në “Bernabeu”.
Kjo çështje tani ka tërhequr edhe vëmendjen e ish-klubit të tij, Bayer Leverkusen, të cilin Alonso e la në fillim të qershorit për t’u bashkuar me Los Blancos.
Sipas “MD”, CEO i Leverkusenit, Fernando Carro, foli për Alonson gjatë një interviste të fundit për “Sky Sport Germany”, ku zbuloi se kohët e fundit ishte takuar me trajnerin e Real Madridit në kryeqytetin spanjoll.
“Gjatë pauzës së ndeshjeve të kombëtareve isha në Madrid për një fundjavë dhe stafi teknik bashkë me familjen ishin dy herë në shtëpinë tonë. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë – në fund të fundit, gjatë atyre tre viteve ishim si një familje. E di gjithashtu që ata ndjekin ndeshjet tona dhe ne ndjekim të tyret, e ndjekim njëri-tjetrin. Kemi shumë vlerësim për njëri-tjetrin dhe mbajmë kontakte shumë të afërta”, tha ai.
Carro dha mendimin e tij edhe për situatën e Alonsos te Real Madridi, duke besuar se atij i është dhënë pak mbështetje nga drejtuesit e klubit në “Bernabeu”.
“Në atë kohë do të kishim dashur që ai të qëndronte këtu, por e dimë se ai është një trajner me talent të jashtëzakonshëm, i cili tani ndodhet në një kontekst ndryshe në Madrid. Nëse presidenti thotë se trajneri është një e keqe e domosdoshme, nëse trajneri lihet i vetëm dhe është gjithmonë ai që merr kritikat, atëherë situata është shumë ndryshe nga ajo që përjetoi në Leverkusen, ku të gjithë rremojmë në të njëjtin drejtim dhe nuk e lëmë trajnerin vetëm politikisht”, shtoi ai.
Carro gjithashtu la të hapur derën për një rikthim të mundshëm të Alonsos në Leverkusen në të ardhmen, nëse ai do të largohej nga Real Madridi.
“Dera është e hapur. Nëse të dyja palët duan të kthehen, mund ta bëjnë këtë në çdo moment”, u shpreh ai.