Një gjykatë franceze e punës ka urdhëruar Paris Saint-Germain që t’i paguajë rreth 60 milionë euro Kylian Mbappe-së, si paga dhe bonuse të papaguara. Vendimi u mor të martën në Paris, sipas agjencisë AFP.
Sulmuesi francez, kapiten i kombëtares së Francës, u largua nga PSG në qershor të vitit 2024 për t’u transferuar te Real Madrid.
Pas largimit, Mbappé kishte ngritur një padi ndaj ish-klubit të tij, duke kërkuar në total mbi 260 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër PSG kishte kundërpaditur lojtarin, duke i kërkuar atij të paguante 440 milionë euro.
Gjykata vendosi në favor të Mbappé-s për një pjesë të kërkesave të tij, duke i dhënë të drejtë për rreth 60 milionë euro, që lidhen me paga dhe shpërblime të prapambetura.
Megjithatë, trupa gjykuese rrëzoi pretendimin e futbollistit se PSG kishte zbatuar një klasifikim të gabuar ligjor francez për kontratën e tij.
Klubi parisien nuk ka bërë ende të ditur nëse do ta apelojë këtë vendim. Çështja pritet të mbetet në qendër të vëmendjes, duke pasur parasysh përmasat financiare dhe profilin e lartë të protagonistit.