Manchester United ka sqaruar se intervista bombastike e Bruno Fernandesit është zhvilluar “disa javë më parë”, pasi citimet dolën në dritë pas barazimit 4-4 kundër Bournemouth.
Fernandesi ka pretenduar se drejtuesit e United donin ta shisnin atë gjatë verës, por “nuk patën guximin” ta detyronin të largohej.
31-vjeçari, i cili ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të klubit këtë sezon, e mori seriozisht në konsideratë një ofertë nga klubi i Saudi Pro League, Al Hilal, të cilët ishin gati t’i ofronin një paketë page prej rreth 700 mijë paundësh në javë për tri vite.
Sipas “ESPN”, Al Hilal ishin gjithashtu të gatshëm të paguanin një shumë rreth 100 milionë paundësh dhe kishin besim se oferta do të pranohej, duke pasur parasysh vështirësitë financiare të Manchester United në atë periudhë.
Agjenti i Fernandesit, Miguel Pinho, udhëtoi drejt Lindjes së Mesme për negociata dhe marrëveshja dukej se ishte shumë pranë finalizimit.
Megjithatë, pavarësisht shifrave marramendëse në tavolinë, kapiteni i United vendosi të qëndrojë në “Old Trafford”.
“Ishte një mundësi,” kishte thënë Fernandes në qershor, duke folur për ofertën nga Al Hilal.
“Presidenti më telefonoi dhe më pyeti nëse doja të shkoja atje. Ata po më prisnin. Fola me trajnerin Amorim. Ai më kërkoi të mos shkoja. Manchester United nuk donte të më shiste. Ata nuk kanë nevojë për paratë”, tha Fernandesi.
“Nëse do të kisha dashur të largohesha, ata do ta kishin bërë të mundur,” shtoi ai.
Pesë muaj pas këtyre deklaratave, Fernandes ka bërë disa pretendime të jashtëzakonshme në një intervistë të fundit për median portugeze “Canal 11”.
“Manchester United donte që unë të largohesha, këtë e kam në kokë,” tha Fernandes.
“Mendoj se nuk patën guximin, sepse Ruben Amorim më donte këtu, por nga ana e klubit ndjeva se, nëse do të largohesha, nuk do të ishte ndonjë problem i madh për ta.
Cristiano më këshilloi, por vendimi final ishte gjithmonë i imi. Vendosa të qëndroj sepse e dua sinqerisht klubin, por besnikëria nuk vlerësohet më si dikur”, shtoi ai.
Fernandes konfirmoi gjithashtu se biseda e përmendur më herët me Ruben Amorim luajti rol në vendimin e tij për të qëndruar në “Old Trafford”, por hierarkia e klubit ishte e hapur për ta shitur, gjë që e “lëndoi” mesfushorin portugez.
“Mund të isha larguar në afatin e fundit të transferimeve dhe do të kisha fituar shumë më tepër para,” tha Fernandesi në emisionin “Soltinhos pelo Mundo”.
“Do të isha larguar një sezon më parë – nuk do të them ku – dhe do të kisha fituar shumë trofe atë sezon. Vendosa të qëndroj, edhe për arsye familjare, por sepse e dua vërtet klubin. Biseda me trajnerin më bëri gjithashtu të qëndroj. Por nga ana e klubit ndjeva pak sikur:
‘Nëse largohesh, nuk është edhe aq keq për ne.’ Kjo më lëndon pak. Më shumë se sa më lëndon, më bën të trishtuar, sepse jam një lojtar për të cilin nuk ka asgjë për të kritikuar. Jam gjithmonë i gatshëm, luaj gjithmonë, mirë apo keq. Jap gjithçka.
Pastaj sheh rreth teje lojtarë që nuk e vlerësojnë klubin aq shumë dhe nuk e mbrojnë klubin sa duhet… kjo të bën të ndihesh keq”, tha ai.
Fernandes foli edhe për idenë e të luajturit në Arabinë Saudite.
“Nëse një ditë duhet të luaj në Arabinë Saudite, do të luaj në Arabinë Saudite,” tha ai.
“Stili im i jetesës do të ndryshojë, jeta e fëmijëve të mi do të jetë më e ndriçuar, pas gjashtë vitesh në Mançester me të ftohtë dhe shi. Do të luaja në një ligë në rritje, me lojtarë të njohur.
Mund të isha larguar siç bëjnë shumë njerëz dhe të thosha: ‘Dua të largohem, nuk dua të stërvitem, dua vetëm të iki për 20 ose 30 milionë euro, që të më paguajnë më shumë nga ana tjetër.’
Por kurrë nuk e bëra këtë. Nuk u ndjeva kurrë në atë pozicion, sepse ndjeva se empatia dhe dashuria që kisha për klubin ishin të njëjta”, u shpreh ai.
“Por vjen një moment kur, për ta, paratë janë më të rëndësishme se gjithçka. Klubi donte që unë të largohesha, këtë e kam në kokë. Ua thashë këtë drejtorëve, por mendoj se nuk patën guximin ta merrnin atë vendim, sepse trajneri më donte. Nëse do të kisha thënë se doja të largohesha, do të më kishin lënë të shkoja, përfundoi Fernandesi.
Sipas “Manchester Evening News”, United ka konfirmuar se intervista e Bruno Fernandes është realizuar disa javë më parë dhe është organizuar nga kombëtarja portugeze.