Jorginho nuk ka fshehur faktin se do të donte një rikthim te Kombëtarja e Italisë, por pranon se “nuk ka shumë për të thënë përveçse ndihem mirë dhe po punoj shumë”.
Mesfushori i njohur që ka luajtur më parë për Napoli, Chelsea dhe Arsenal nuk ka qenë pjesë e “Azzurrëve” që nga kampanja shumë zhgënjyese e EURO 2024 dhe më pas nuk ka arritur të rikthehet në planet e Luciano Spallettit.
Në shtator 2024, dukej se karriera e tij ndërkombëtare kishte marrë fund.
Gjërat nuk shkuan shumë më mirë për Jorginhon në nivel klubesh gjatë sezonit 2024-25, ku mundësitë e tij te ekipi i parë i Arsenalit u kufizuan në vetëm 15 paraqitje në Premierligë.
Ai u lejua të largohej nga klubi verën e kaluar dhe që atëherë i është bashkuar Flamengo-s në Brazilin e tij të lindjes.
“Është një moment i lumtur. Është një zgjedhje e bukur që kam bërë (të bashkohem me Flamengo), ka shumë ndeshje, shumë turne për t’u menduar, por jam shumë i lumtur për këtë. Duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara,” tha ish-lojtari i Kombëtares italiane për “Sky Sport Italia”.
Jorginho foli gjithashtu për Napolin e zemrës së tij, për të cilin ka luajtur 133 ndeshje në Serie A gjatë një periudhe katërvjeçare.
“Napoli është gjithmonë i fortë, gjithmonë i ndjek me shumë dashuri sepse është një klub që më ka dhënë shumë, një ekip që më ka dhënë shumë dhe me tifozë që më kanë dhënë shumë,” tha ai.
“Kam shumë dashuri për qytetin, gjithmonë i ndjek dhe ata do të vazhdojnë të luftojnë deri në fund, kanë fituar së fundmi, luajnë mirë, u uroj fat, gjithmonë do t’i mbështes”, shtoi ai.
Kur u pyet nëse ende ka interes për një thirrje në Kombëtare, duke pasur parasysh se nuk ka njoftuar kurrë zyrtarisht tërheqjen, Jorginho u përgjigj:
“Po punoj më shumë dhe më shumë që të jem gjithmonë gati për të luajtur. Gjithmonë dua çfarë është më e mira për Kombëtaren, nuk ka shumë për të thënë përveçse ndihem mirë dhe po punoj shumë”, përfundoi ai.