Real Madridi, herët a vonë, do të duhet të përforcojë repartin e mesfushës, i cili është dobësuar ndjeshëm pas largimeve të njëpasnjëshme të Toni Kroos dhe Luka Modric.
Prej kohësh, media kanë përmendur disa emra si Rodri Hernandez (Manchester City), Kees Smit (AZ Alkmaar), Angelo Stiller (Stuttgart) dhe Adam Wharton (Crystal Palace), por lista e kandidatëve mbetet e hapur.
Sipas “Defensa Central”, në ‘radarët’ e klubit madrilen ka hyrë edhe Mamadou Sangare, mesfushori malian që aktivizohet me Lens në Ligue 1.
Që nga vera e kaluar, 23-vjeçari nga Bamako ka regjistruar 15 paraqitje zyrtare me skuadrën franceze, e cila aktualisht ndan kryesimin në kampionat me Paris Saint-Germain.
Edhe pse raportet fillestare të marra nga drejtori sportiv i Real Madridit janë shumë pozitive, vëzhguesit e klubit pritet ta ndjekin nga afër Sangaren edhe gjatë Kupës së Kombeve të Afrikës, që do të zhvillohet së shpejti, për t’i dhënë një vlerësim përfundimtar.
“Klubi beson se, nëse ai performon mirë në këtë garë, mund të jetë një mundësi e mirë. Është një tregues shumë interesant për të parë nëse është gati për ndeshje të mëdha”, shkruan mediumi spanjoll.
I pajisur me atribute të shkëlqyera fizike, Sangare dallohet gjithashtu për etikën e tij të punës dhe inteligjencën taktike, cilësi që kanë tërhequr vëmendjen edhe të disa klubeve të Premier League, si Chelsea, Manchester United dhe Tottenham. Kontrata e tij aktuale me Lens është e vlefshme deri në qershor të vitit 2030.