Ish-sulmuesi i Real Madridit, Tote, beson se është vetëm çështje kohe para se Xabi Alonso të shkarkohet nga posti i trajnerit të “Los Blancos”.
Në një prononcim për “Radio Marca”, Tote deklaroi se vendimi për largimin e Xabit tashmë është marrë dhe se mungesa e besimit ndaj tij është evidente.
“Kam ndjesinë se koha e Xabit ka përfunduar, sepse nuk ka besim tek ai dhe disa njerëz nuk besojnë në të. Ai po lufton për vendin e punës çdo tre ditë dhe të punosh në këto kushte është jashtëzakonisht e vështirë,” tha Tote.
Ai shtoi se drejtimi i një klubi si Real Madridi kërkon personalitet të fortë dhe autoritet të qartë.
“Kur vjen te një ‘përbindësh’ si Real Madridi, duhet të kesh shumë personalitet për të udhëhequr dhe për të vendosur autoritetin,” theksoi ai.
Tote kritikoi gjithashtu mënyrën se si u menaxhua rasti i Vinicius Juniorit.
“Ajo që ndodhi me Viniciusin më zhgënjeu shumë. Duhej të kishte një ndëshkim për t’i dërguar një mesazh grupit. Në sulm kanë lojtarin më të mirë dhe në portë po ashtu lojtarin më të mirë, dhe këta të dy po e mbajnë ekipin në këmbë,” përfundoi ai.