Majk Menja është shfaqur para mediave në konferencën në prag të sfidës me Napolin për gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë në Riad dhe ashtu siç pritej, ndër pyetjet kryesore për portierin e Milanit ishte ajo për të ardhmen e tij.
Kapitenit i përfundon kontrata në mbyllje të këtij sezoni dhe palët janë shumë larg mes ofertës dhe kërkesës për të rinovuar.
Menja ka bërë të qartë se nuk dëshiron të flasë rreth kësaj teme për momentin, duke qëndruar në një linjë me Igli Taren i cili kishte bërë të qartë se nuk do të kishte asnjë lloj trysnie për portierin gjatë sezonit.
“Sot, nuk është momenti për të folur për këtë çështje. Unë duhet të jap maksimumin në fushë dhe më pas, vetëm më pas, do të shohim se çfarë do të ndodhë. E di që e ardhmja ime krijon diskutime, por nuk është diçka që duhet të më shqetësojë”, tha gardiani i Milanit para gazetarëve.