Britania e Madhe ka angazhuar rreth 802 milionë dollarë për aftësitë e mbrojtjes ajrore, duke përfshirë raketa automatike të afta për të rrëzuar dronë rusë, për të mbështetur Ukrainën gjatë dimrit, tha Ministria e Mbrojtjes sot.
Në një deklaratë, ministria kujtoi se vendi u zotua të rrisë mbështetjen për sigurinë dhe sovranitetin e Ukrainës në takimin e 32-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili u bashkëkryesua nga Sekretari i Mbrojtjes John Healey dhe homologu i tij gjerman Boris Pistorius të martën.
Më shumë se një mijë raketa mbrojtëse ajrore të prodhuara në Britaninë e Madhe janë dorëzuar në Ukrainë që nga qershori.
"Investimi në mbrojtjen ajrore këtë vit është një ndihmë kritike për ukrainasit, ndërsa ata mbrojnë qytetet, fshatrat dhe infrastrukturën e tyre energjetike nga sulmet barbare të Rusisë", tha Healey.
Britania e Madhe mbetet e përkushtuar për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, me 6 miliardë dollarë që do të shpenzohen për mbështetje ushtarake për Ukrainën këtë vit - niveli më i lartë britanik ndonjëherë, raporton Anadollu, përcjell KosovaPress.
Rreth 50 vende diskutuan mbështetjen për Ukrainën gjatë takimit virtual të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, në të cilin përfaqësuesit e Kievit zyrtar paraqitën një analizë të situatës në vijën e frontit.