Njësitë policore nga Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), kanë realizuar një urdhëresë për gërmim (eksumim) në territorin e komunës së Rahovecit, në kuadër të hetimeve për personat e zhdukur gjatë periudhës së luftës 1998–1999.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë procesit të gërmimit, ekipet kanë hasur në mbetje eshtrorë, për të cilat dyshohet se i përkasin të paktën një personi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Mbetjet janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të mëtejme, përfshirë identifikimin përmes metodave shkencore, raporton KosovaPress.
“Person i zhdukur. Rahovec / 1998–1999. Njësitë policore nga Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore kanë realizuar një urdhëresë ku gjatë gërmimit (eksumimit) kanë gjetur mbetje eshtërore që dyshohet se i përkasin të paktën një personi të zhdukur në kohën e luftës në Kosovë. Mbetjet janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar në IML për ekzaminime mjeko-ligjore”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me institucionet relevante, ndërsa rezultatet zyrtare do të publikohen pas përfundimit të procedurave të nevojshme profesionale.
Raportohet nga institucionet përkatëse se rreth 1600 persona konsiderohen të pa gjetur nga lufta e fundit në Kosovë.