Drita sfidon Rayo Vallecanon në Madrid

- Bota Sot

Drita sfidon Rayo Vallecanon në Madrid

Skuadra kampione e Kosovës, Drita do ta mbyll sot fazën e ligës në UEFA Conference League me përballjen tejet të vështirë kundër Rayo Vallecanos.

Skuadra spanjolle ndodhet në vendin e shtatë me 10 pikë, ndërsa Drita me dy pikë më pak mban vendin e 19-të.

Kjo ndeshje zhvillohet sonte, nga ora 21:00, në “Estadio de Vallecas”.

Në prag të këtij dueli të vështirë, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, theksoi se skuadra e tij është e përgatitur për t’u ballafaquar me skuadrën spanjolle, pavarësisht faktit se dimensionet e fushës janë më të vogla se ato në Prishtinë.

“Në këto ndeshje favorit absolut është Rayo Vallecano, mirëpo ne jemi këtu për të dhënë maksimumin. Do të isha shumë i kënaqur edhe me një barazim. Sa u përket fushave, ne jemi mësuar me çdo lloj dimensioni. Nuk ka problem fare, ambientohemi shpejt dhe jemi këtu për të dhënë maksimumin”, tha Ramadani.

Drita do të ketë mungesa të rëndësishme në këtë takim: Rron Broja, Vesel Limaj dhe Faton Maloku nuk do të jenë në dispozicion për shkak të lëndimeve, por trajneri Ramadani beson te cilësia dhe përkushtimi i lojtarëve të tjerë.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi, e vlerësoi Rayo Vallecanon si një nga skuadrat favorite për të triumfuar në Ligën e Konferencës.

“Rayo Vallecano do të jetë njëri ndër favoritët për të triumfuar në Ligën e Konferencës, por ka shumë skuadra të forta dhe të shohim deri në fund. Sidoqoftë, ne e kemi përballjen me ta dhe nuk dua t’u jap më shumë lëvdata atyre në këtë moment”, tha Krasniqi në konferencën për media.

Nga ana tjetër, trajneri i Rayo Vallecanos, Inigo Perez, dhe qendërmbrojtësi Florian Lejeune, e vlerësuan Dritën si një ekip të fortë, energjik dhe të organizuar mirë në të dyja fazat, mbrojtje dhe sulm.

Kjo do të jetë përballja e parë e Dritës me një skuadër spanjolle, por gjilanasit në vitet e fundit kanë treguar lojëra shumë të mira kur janë ballafaquar me skuadra të këtij niveli.



Read it all at Bota Sot