Siç është bërë tashmë e ditur, FC Barcelona po punon për transferimin e Hamza Abdelkarim, sulmues qendror nga klubi egjiptian Al Ahly, me idenë që fillimisht ta inkuadrojë atë te Barça Atlètic.
Sulmuesi 17-vjeçar ka lënë mbresa te skautët e Barcelonës me paraqitjet e tij dhe klubi dëshiron ta transferojë në janar, fillimisht për të përforcuar ekipin rezervë, me perspektivën që në të ardhmen të bëhet pjesë e ekipit të parë, në varësi të zhvillimit të tij.
Sipas burimeve egjiptiane, të cituara nga Mundo Deportivo, Barcelona tashmë ka bërë ofertën e saj të parë për ta transferuar Hamza Abdelkarim nga Al Ahly.
Raportohet se oferta e blaugranave përbëhet nga një huazim gjashtëmujor pa kosto, deri në muajin qershor, si dhe një opsion blerjeje prej 4 milionë eurosh.
Kjo shumë do të strukturohej me 1 milion euro fikse, ndërsa pjesa tjetër do të lidhej me bonuse të bazuara në performancë.
Siç është përmendur më herët, plani është që Abdelkarim t’i bashkohet ekipit rezervë Barça Atlètic në janar, pasi aktualisht ky ekip ka mungesë sulmuesish tipikë, me Óscar Gistau dhe Víctor Barberà të dëmtuar.
Abdelkarim është një sulmues klasik qendror, me instinkt për gol dhe goditje të fuqishme. Talenti i ri ra në sy gjatë Kupës së Botës U-17 të FIFA-s, ku shënoi dy gola për Egjiptin, ndërsa ka debutuar edhe me ekipin e parë të Al Ahly-t.
Duhet theksuar se në korrik, Barcelona priti një delegacion nga Al Ahly.
Në mesin e vizitorëve ishin Mahmoud El Khatib, president i klubit egjiptian, dhe Mohamed Kamel, president i kompanisë Red Castle Company dhe personi përgjegjës për projektin e stadiumit që Al Ahly synon ta inaugurojë në vitin 2029, me kapacitet prej 45 mijë shikuesish.
Tashmë mbetet të shihet nëse oferta e Barcelonës për huazimin e Abdelkarim me një opsion blerjeje prej 4 milionë eurosh do të pranohet nga gjiganti egjiptian.