Heqja e masave, Reuten kritikon BE-në: Aplikimi i Kosovës ka mbetur në sirtar

- Bota Sot

Heqja e masave, Reuten kritikon BE-në: Aplikimi i Kosovës ka mbetur në sirtar

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten ka reaguar pas vendimit për heqjen plotësisht të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Ai ka uruar Kosovën për këtë dhe e ka cilësuar një dështim politikën e BE-së.

Reuten thotë se tani mund të rifillohet rruga evropiane e Kosovës dhe se hapi i radhës është të procedohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim.

“Më në fund! Urime Kosovë. Çfarë dështimi ka qenë kjo politikë e BE-së.

Tani mund ta rifillojmë sërish rrugën evropiane të Kosovës. Hapi i radhës: të procedohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim, i cili ka mbetur në sirtar prej vitesh!”, ka shkruar ai në “X”.

 

Gjatë ditës së djeshme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian do t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës në fund të janarit. Këto masa u vendosën ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veri.

Presidentja Osmani këtë lajm e dha pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku ka thënë se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.

“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”, ka thënë ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka konfirmuar se pas heqjes së pjesshme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm.



Read it all at Bota Sot