Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja ka dalë në një konferencë për shtyp duke komentuar në funksion të sfidës me Egnatian, e vlefshme për javën e 17-të të “Abissnet Superiore”. Ndeshja do të luhet në “Egnatia Arena” duke nisur nga ora 16:30.
Ecuria pozitive e Partizanit, besoni se mund ta mbani këtë performancë rezultatesh?
“Besoj që po, përderisa çunat po vijnë në rritje. Gradualisht forma e tyre është në rritje dhe shpresojmë që të vazhdojmë të mbajmë këtë ritëm”.
Partizani ka provuar shijen e fitores në Rrogozhinë. A mund ta përsërisni këtë rezultat nesër?
“Me besim të plotë. Ne shkojmë atje sigurisht për fitore edhe pse kemi respekt maksimal për ekipin e Egnatias janë kampionët në fuqi, por ne shkojmë sigurisht për fitore atje”.
Gjeni përballë një Egnatia me numrin më të madh të lojtarëve në formacionin e vitit si dhe kanë trajnerin më të mirë të vitit.
“Futbolli fal zotit nuk luhet me ata që janë në formacionin e më të mirëve të vitit, apo në gazeta. Futbolli luhet në fushë, në të kundërt nuk do të shkonim fare të luanim. Nëse do të niseshim nga “Mbrëmja Gala” nuk do iknim të luanim kështu që do të fitonte Egnatia. Fusha ka treguar tjetër gjë, djemtë janë në formë, janë stërvitur shumë mirë. Shpresojmë të bëjmë një rezultat pozitiv pse jo edhe me fitore”.
Shpresoni një fundviti sa më pozitiv?
“Fokusi jonë është ndeshja e nesërme me Egnatian. Pas kësaj përballje do të mendojmë të përgatisim ndeshjen me Dinamon”.
Merkato e Janarit?
“Janë çështje të brendshme të klubit. Grupi është. Ku ka nevojë ekipi të përforcohet ne e dimë dhe këto janë çështje shumë shpejt për tu zgjidhur”.
Dëmtimet dhe gjendja e skuadrës?
“ Atëherë janë rekuperuar pothuajse të gjithë, me përjashtim të Prekës i cili besoj do të rikthehet me Dinamon. Vazhdon i dëmtuar Doumbia i cili e ka mbyllur vitin deri në janar.
Rikthehet Martinez dhe pjesa tjetër janë të gjithë të gatshëm”.