Disa roja kufitare ruse kaluan sot në mënyrë të paligjshme në territorin e Estonisë, njoftoi Ministria e Jashtme e Estonisë.
Ministria tha se oficerët kaluan linjën e kontrollit midis Estonisë dhe Rusisë mbi një mol në lumin Narva, raporton ATSH.
Ata mbërritën në vendngjarje me një mjet lundrues, vazhduan në këmbë përgjatë barrierës së lumit dhe më vonë u kthyen në automjetin e tyre dhe kaluan përsëri në anën ruse.
Ministria publikoi pamje video të regjistruara nga një kamera mbikëqyrjeje që tha se dokumentuan incidentin, i cili ndodhi pranë fshatit Vasknarva.
Ministri i Brendshëm estonez Igor Taro tha se motivet e rojave kufitare ruse ishin të paqarta.
“Nuk kishte kërcënim të menjëhershëm për sigurinë, por policia dhe rojat kufitare kanë rritur ndjeshëm praninë dhe patrullat e tyre”, tha ai sot në televizionin estonez.
Sipas njoftime të mediave, rojat kufitare qëndruan në territorin estonez për rreth 20 minuta. Nuk u dha asnjë njoftim paraprak.
Estonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, thirri të ngarkuarin me pune të ambasadës ruse në Talin dhe i dorëzoi një notë diplomatike.
”Ne kemi rritur survejimin në rajon dhe jemi të gatshëm të reagojmë”, tha ministri i Jashtëm Margus Tsahkna.
”Përgjigjja më e mirë ndaj testimit të kufijve nga Rusia është të vazhdohet mbështetja për Ukrainën dhe të rritet presioni politik dhe ekonomik mbi Moskën”, shtoi ai.