Enzo Mareska ka reaguar për herë të parë ndaj raportimeve të fundit të gazetarit David Ornstein, të cilat e lidhin trajnerin e Çellsit me një kalim të mundshëm te Man. Siti si pasues i Pep Guardiolës. Në konferencën për shtyp, Mareska u shpreh i qartë dhe i prerë:
“Nuk më ndikon aspak. E di që është 100 për qind spekulim dhe në këtë moment nuk ka kohë për këto gjëra”.
Mareska theksoi se është plotësisht i përkushtuar ndaj Çellsit, me kontratë të vlefshme deri në vitin 2029, duke nënvizuar krenarinë për pozicionin e tij aktual.
“Kam kontratë këtu deri në vitin 2029 dhe fokusi im është te ky klub. Jam shumë krenar që jam këtu. Janë thjesht spekulime.
Një javë më parë ishte e njëjta gjë me Juventusin, ndaj nuk u kushtoj vëmendje”
Trajneri italian i cilësoi zërat për të ardhmen si spekulime pa bazë, të ngjashme me ato të javëve të kaluara.
“Sërish, janë vetëm spekullime. Është e rëndësishme të kuptohet pse doli ky lajm, por nuk është puna ime. Nuk më intereson aspak dhe fokusi im është te ndeshja kundër Njukasëllit”.
Trajneri italian theksoi edhe një herë përkushtimin e tij ndaj Çellsit, duke lënë të kuptohet se nuk ka asnjë bazë reale për zërat që qarkullojnë rreth të ardhmes së tij.