AC Milan po shqyrton seriozisht mundësinë e rikthimit të Thiago Silvës gjatë merkatos së dimrit, bëjnë të ditur burime për ESPN Brasil.
Mbrojtësi 41-vjeçar është tashmë lojtar i lirë, pasi ka ndërprerë me marrëveshje kontratën me Fluminense, pavarësisht se i kishin mbetur edhe gjashtë muaj.
Silva u rikthye te klubi nga Rio de Janeiro në maj të vitit të kaluar pas largimit nga Chelsea dhe ishte titullar i rregullt.
Ai nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli dhe ka deklaruar se ende shpreson të përfaqësojë Brazilin në Botërorin e vitit të ardhshëm, ndonëse nuk është grumbulluar që nga viti 2022.
Ish-kapiteni i Brazilit pritet të marrë së shpejti një vendim për të ardhmen e tij.
Ai dëshiron të rikthehet në Evropë, kryesisht për arsye familjare, me Anglinë si destinacionin e preferuar, pasi familja e tij jeton në Londër.
Dy djemtë e tij janë pjesë e akademisë së Chelsea, ndërsa më i madhi, Isago (17 vjeç), ka firmosur së fundmi kontratën e tij të parë profesionale.
Megjithatë, një rikthim te AC Milan mbetet një opsion serioz, pasi Silva gëzon respekt të madh në San Siro.
Ai fitoi një titull kampion në Serie A gjatë tre sezoneve me kuqezinjtë, përpara se të transferohej te PSG në vitin 2012. Milani po kërkon të përforcojë repartin defensiv në janar, çka e bën këtë rikthim të mundshëm.
Interes për Silvën kanë shfaqur edhe FC Porto, një tjetër ish-klub i tij, megjithëse ai kishte luajtur vetëm për ekipin rezervë të portugezëve.