Futbollisti 33-vjeçar Mario Pineda u qëllua për vdekje nga persona të panjohur të armatosur në Ekuador, ndërsa edhe gruaja e tij u vra në të njëjtin sulm.
Një kamerë sigurie ka regjistruar momentin e sulmit vrasës, i cili ndodhi të mërkurën, ndërsa 33-vjeçari ndodhej jashtë një dyqani.
Pamjet tregojnë dy burra të maskuar që i afrohen futbollistit duke i drejtuar armët, ndërsa ai ngre duart lart, sikur po u lutej për mëshirë.
Në sekondat pasuese, dy sulmuesit zbrazin armët mbi Pinedën dhe gruan e tij, ndërsa nëna e futbollistit mbeti gjithashtu e plagosur nga të shtënat.
Mediat lokale raportojnë se, ndonëse nuk ka informacion zyrtar mbi motivet e vrasjes, autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për ekzekutimin e një kontrate vdekjeje që kishte në shënjestër 33-vjeçarin.
Disa orë më parë, Pineda dyshohet se kishte ripublikuar një njoftim nga shokët e tij të ekipit, ku thuhej se ata nuk do të zbrisnin në fushë për shkak të borxheve të Barcelonës SC, klub për të cilin ai luante.
Ekzekutimi i dyfishtë ndodhi në qytetin e Guayaquil, i cili, sipas BBC-së, është një nga zonat më problematike për dhunën e bandave dhe trafikun e drogës, me rreth 1,900 vrasje të regjistruara nga janari deri në shtator.