Putin: Pezullojmë sulmet nëse Ukraina zhvillon zgjedhje

- Bota Sot

Putin: Pezullojmë sulmet nëse Ukraina zhvillon zgjedhje

Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se qeveria ukrainase duhet të jetë legjitime, por kjo është e pamundur pa zgjedhje dhe se Rusia është e gatshme të konsiderojë pezullimin e sulmeve brenda territorit të Ukrainës gjatë ditës së zgjedhjeve.

Putin kërkoi gjithashtu që ukrainasit që jetojnë në Rusi të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e mundshme në vendin fqinj, kundër të cilit ende po zhvillohet një ofensive e përgjithshme.

”Rusia është e gatshme të konsiderojë një armëpushim të pjesshëm”, tha Putin.

Megjithatë, ai theksoi se ”duhet të sigurohen të drejtat e votës për ukrainasit që kanë ardhur në Rusi”, duke vlerësuar se numri i tyre është midis 5 dhe 10 milionë persona.

Putin ka kërkuar zgjedhje të reja në Ukrainë që nga viti i kaluar.

Sipas tij, presidenti Volodymyr Zelensky nuk është më legjitim pas përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar në maj 2024.

Vetë Putin siguroi mandat të pestë nëpërmjet një ndryshimi kushtetues në Rusi.

Kërkesa për zgjedhje të reja në Ukrainë është përkrahur edhe së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump.

Edhe pse ligji ushtarak është në fuqi në Ukrainë për më shumë se tre vite e gjysmë për shkak të pushtimit të plotë të urdhëruar nga Putin në shkurt 2022, i cili ndalon zgjedhjet, Zelensky së fundmi tregoi gatishmërinë për të lejuar një votim.

Ai tha se do të kërkojë nga parlamenti ndryshimet e nevojshme ligjore, por e lidhi këtë premtim me kërkesën për një armëpushim.



Read it all at Bota Sot