Tirana merr psikologe, ky vendim është parë si një hap i domosdoshëm

- Bota Sot

Tirana merr psikologe, ky vendim është parë si një hap i domosdoshëm

Gjatë gjithë këtyre javëve te Tirana janë kërkuar zgjidhje të ndryshme për të dalë nga situata e vështirë që po kalon skuadra.

Përveç punës në aspektin teknik, taktik dhe fizik, drejtuesit e klubit kanë vendosur të ndërhyjnë edhe në planin psikologjik, duke angazhuar një psikologe sportive.

Ky vendim është parë si një hap i domosdoshëm, në një moment kur presioni i rezultateve, kritikat e vazhdueshme dhe ngarkesa emocionale kanë ndikuar dukshëm në paraqitjet e ekipit.

Psikologia ka zhvilluar seanca individuale terapie me lojtarët, duke komunikuar veçmas me secilin prej tyre, në mënyrë që të kuptojë më qartë gjendjen psikologjike, nivelin e stresit dhe mënyrën se si futbollistët përballojnë presionin e vazhdueshëm.

Gjatë këtyre seancave janë trajtuar elementë të ndryshëm, si vetëbesimi, menaxhimi i emocioneve gjatë ndeshjeve, reagimi ndaj gabimeve dhe aftësia për të përballuar situatat e vështira brenda dhe jashtë fushës.

Pas këtij procesi, psikologia ka nxjerrë konkluzionet e saj mbi situatën aktuale, e cila vijon të mbetet delikate dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme. Ajo ka ndërtuar profilet psikologjike të secilit futbollist, duke evidentuar tiparet kryesore, pikat e forta dhe aspektet që kërkojnë më shumë punë.

Këto profile janë vënë në dispozicion të stafit teknik dhe drejtuesve bardheblu, me qëllim që të shërbejnë si një mjet ndihmës në menaxhimin e grupit.

Stafi teknik pritet t’i përdorë këto të dhëna për të përmirësuar komunikimin me lojtarët, për të kuptuar më mirë reagimet e tyre në situata presioni dhe për të marrë vendime më të balancuara në lidhje me aktivizimin, rolet në fushë dhe përgatitjen psikologjike për ndeshjet e ardhshme.

Nga ana e saj, klubi shpreson që kjo ndërhyrje të ndikojë pozitivisht në klimën brenda ekipit, të rikthejë qetësinë dhe besimin, si dhe të ndihmojë skuadrën të reagojë në një moment vendimtar të sezonit.



Read it all at Bota Sot