Financimi britanik i angazhuar për të forcuar Ballkanin Perëndimor, ku Rusia është akuzuar për mbjellje përçarjesh dhe krijimin e destabilizimit, është ulur nga 40 milionë funte vitin e kaluar në 24 milionë për vitet 2025/26, shkruan Guardian, përcjell KosovaPress.
Administrata e Keir Starmer ka çuar në një ulje prej 40 për qind të fondeve për të luftuar agresionin dhe dezinformimin rus në Ballkanin Perëndimor.
Fondi i Integruar i Sigurisë (ISF) është hartuar për të trajtuar kërcënimet me përparësi më të lartë për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar brenda dhe jashtë vendit.
Starmer e përshkroi së fundmi rajonin e Ballkanit Perëndimor si "vendin ku vihet në provë siguria e kontinentit evropian".
Fondet e ISF-së të vitit të kaluar u përdorën pjesërisht për të kundërshtuar dhe për tiu përgjigjur sulmeve kibernetike keqdashëse në rajon dhe për të forcuar institucionet demokratike dhe median e pavarur.
Shkurtimi i financimit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar duket të jetë pasojë e politikës së Starmer për të zvogëluar Ndihmën Zyrtare për Zhvillim (ODA) për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Shuma e ODA-së së angazhuar për Ballkanin Perëndimor në kuadër të ISF-së është ulur nga 31.91 milionë funte në 2024-25 në 17 milionë për 2025-26. Shifrat nga Zyra e Kabinetit tregojnë gjithashtu një shkurtim prej 1.15 milionë funte në financimin "jo-ODA" për rajonin.
Viti financiar 2025-26 është i pari në një tranzicion gradual të shpallur nga qeveria drejt uljes së ODA-së nga 0.5% në 0.3% të të ardhurave kombëtare bruto deri në vitin 2027.
Emily Thornberry, kryetare e komitetit të zgjedhur të punëve të jashtme dhe një ish-sekretare e jashtme në hije në ekipin e Starmer para zgjedhjeve të përgjithshme, tha se Ballkani Perëndimor ndodhet në vijën e parë të luftës kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes ruse.
“Jam shumë krenare për punën që Mbretëria e Bashkuar po bën për ti mbështetur ata në atë luftë - për sigurinë e tyre dhe të të gjithë Evropës. Nevojitet më shumë punë për të mbështetur median e pavarur, jo më pak. Njerëzit janë të etur për të mësuar të vërtetën dhe është shumë e vështirë ta gjesh atë."
Kate Ferguson, bashkëdrejtoreshë ekzekutive dhe drejtuese e politikave dhe kërkimit në Protection Approaches, një OJQ që punon në Ballkanin Perëndimor për parandalimin e dhunës së bazuar në identitet, tha se Mbretëria e Bashkuar kishte një rekord të mirë në rajon dhe se kjo nuk duhet të minohet tani.
“Strategjia e sigurisë kombëtare me të drejtë njeh se jemi në një periudhë intensifikimi të konkurrencës strategjike për rregullat dhe qeverisjen e botës sonë; në Evropë e shohim këtë ndërsa Rusia diversifikon përpjekjet e saj për të minuar konsensusin tonë demokratik. Është thelbësore pra që Ministria jonë e Jashtme të ketë burimet e duhura dhe të përshtatshme për tu përballur me këto kërcënime në rritje ndaj demokracisë dhe sigurisë sonë kolektive. Në vitet e fundit, Mbretëria e Bashkuar është dalluar në Ballkanin Perëndimor si një udhëheqës i besuar dhe parimor, ndërsa të tjerët ndonjëherë kanë lëkundur. Tani, ndërsa format e reja të agresionit rus dhe ndikimit të keq thellohen në rajon, kjo udhëheqje duhet të forcohet - dhe jo të zbutet.”
Këtë javë, kreu i ri i MI6, Blaise Metreweli, tha se Britania ishte e zënë në "një hapësirë midis paqes dhe luftës" dhe e përshkroi Rusinë si "agresive, ekspansioniste dhe revizioniste, që kërkon të nënshtrojë Ukrainën dhe të ngacmojë NATO-n".
Shelagh Daley, udhëheqësja e ekipit të politikave në Saferworld, një OJQ që drejton programe në Ballkanin Perëndimor, tha se shkurtimet dukeshin të ishin pjesë e një lëvizjeje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të mos i dhënë përparësi parandalimit të konflikteve.
Një zëdhënës i qeverisë tha se shifrat në raport përfaqësojnë vetëm një pjesë të investimit total të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor për çështje si krimi i organizuar dhe aktiviteti armiqësor shtetëror.
“ISF është projektuar për tu përshtatur me prioritetet më të fundit të sigurisë kombëtare dhe shpesh financon projekte afatshkurtra, që do të thotë se është e natyrshme që vendimet për shpenzimet të evoluojnë me kalimin e kohës.”