Trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, këmbëngul se do ta zgjidhte Paulo Dybalan para Evan Ferguson “çdo herë” dhe shpreson që afati kalimtar i janarit t’i “ndihmojë” verdhekuqtë.
Roma humbi 2-1 ndaj Juventusit të shtunën, duke bërë që bardhezinjtë të afrohen në vetëm një pikë diferencë me ta në tabelën e Serie A.
Dybala e nisi ndeshjen si titullar në sulm për Romën, ndërsa Ferguson u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë.
Gasperini tha në intervistën pas ndeshjes për “Sky Sport Italia” se reprezentuesi i Republikës së Irlandës ende nuk e ka bindur, dhe gjatë konferencës për shtyp shtoi më shumë mbi këtë çështje.
“Nëse duhet të zgjedh mes Dybala dhe Ferguson, do të zgjedh Dybalan çdo herë. Nuk ka të bëjë me Fergusonin; është një zgjedhje që e kam bërë edhe më parë dhe, nëse është kjo zgjedhja, unë zgjedh Dybalan”, tha ai.
Nuk është sekret që Gasperini dëshiron të paktën një lojtar të ri në sulm gjatë afatit të janarit dhe, pas humbjes ndaj Juventusit, ai pranoi hapur se shpreson që klubi të sjellë përforcime muajin e ardhshëm.
“Nuk e di nëse do të vijë nga merkatoja, por sigurisht që është një mundësi,” tha ai.
“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen, fryma ishte për t’u vlerësuar, por kemi humbur ndaj Interit, Milanit, Juventusit dhe Napolit dhe kjo nuk është rastësi. Do të thotë se na mungon një hap.
Jemi afër në disa situata, por kemi një tifozëri të rëndësishme dhe një klub të rëndësishëm pas nesh.
Duhet të synojmë përmirësimin dhe shpresoj që afati kalimtar i janarit të na ndihmojë ta bëjmë këtë.
Nuk është e lehtë, por duhet të besojmë”, u shpreh ai.
Evan Ndicka është me kombëtaren, ndërsa Mario Hermoso po përballej me lodhje muskulore mbrëmë, duke e kaluar gjithë ndeshjen në stol, kështu që Jan Ziolkowski e nisi nga minuta e parë në mbrojtje.
Gasperini u shpreh i kënaqur me paraqitjen e 20-vjeçarit, pavarësisht disa “gabimeve”.
“Nuk është surprizë, humbëm Ndickën dhe Hermoson, dy nga tre shtyllat e mbrojtjes
Ziolkowski luajti një ndeshje shumë të mirë,” vazhdoi Gasperini.
“Ai është një lojtar me potencial të madh. Nuk ishte e lehtë të luaje kundër sulmuesve të Juventusit, por ai u paraqit mirë pavarësisht disa gabimeve që çdokush mund t’i bëjë.
Është një lojtar me perspektivë shumë të mirë”, përfundoi Gasperini.