Duka: Kosova, nën drejtimin e Franco Fodës, ka arritur rezultate fantastike

- Bota Sot

Duka: Kosova, nën drejtimin e Franco Fodës, ka arritur rezultate fantastike

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe zëvendëspresident i UEFA-s, Armando Duka, ka vlerësuar lart zhvillimet dhe sukseset e futbollit të Kosovës, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2025” të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Duke e cilësuar ceremoninë si një mbrëmje të veçantë, Duka theksoi se futbolli flet më së miri në fushë dhe se kjo mbrëmje ishte një mundësi për të festuar punën dhe sakrificat e bëra gjatë gjithë vitit.

“Kjo është një mbrëmje unike për të festuar gjithçka që është bërë gjatë një viti në futboll. Futbolli flet në fushë, ndërsa djemtë dhe vajzat kanë sakrifikuar shumë për të arritur këto suksese,” u shpreh Duka.

Ai vlerësoi zhvillimet e mëdha të futbollit në Kosovë, duke i cilësuar ato si kulmi i punës së bërë ndër vite, ndërsa shprehu kënaqësinë për rezultatet e arritura nga Përfaqësuesja e Kosovës nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda.

“Zhvillimet në futbollin e Kosovës janë të mëdha. Përfaqësuesja e Kosovës, nën drejtimin e Franco Fodës, ka arritur rezultate fantastike, duke kënaqur tifozët kudo që jetojnë shqiptarët,” theksoi ai.

Në fund të fjalimit, Duka garantoi mbështetje të vazhdueshme për futbollin e Kosovës, si në cilësinë e tij si president i FSHF-së, ashtu edhe si zëvendëspresident i UEFA-s.

“Ju garantoj mbështetje maksimale për futbollin e Kosovës, si nga Shqipëria, ashtu edhe në kuadër të institucioneve të UEFA-s,” përfundoi Duka.



Read it all at Bota Sot