E duan top-klubet, Asllani: Çdo gjë në kohën e duhur

- Bota Sot

E duan top-klubet, Asllani: Çdo gjë në kohën e duhur

Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani pritet të jetë një nga emrat më intrigues të afatit kalimtar të verës së ardhshme.

Asllani e ka nisur sezonin në mënyrë pozitive me Hoffenheim, ndërsa klauzola e tij e largimit, e cila sillet mes 25 dhe 29 milionë eurosh, e bën atë një opsion shumë tërheqës për klubet e mëdha evropiane.

Sipas medieve të huaja, Barcelona është mes klubeve të interesuara për shërbimet e 23-vjeçarit, ndërsa në Gjermani interesimi më i madh vjen nga dy gjigantët, Bayern Munih dhe Borussia Dortmund, që po e ndjekin nga afër paraqitjet e tij.

Në një intervistë për RTL, Asllani ka konfirmuar se është në dijeni të spekulimeve për të ardhmen e tij, por thekson se për momentin fokusi i tij është te Hoffenheim.

“Sigurisht që dëgjoj dhe lexoj gjëra të tilla. Është privilegj dhe ndihem pak krenar, por jam i përqendruar te Hoffenheim, te ndeshjet, javët dhe muajt e ardhshëm. Kjo është më e rëndësishmja për mua. Do të shohim çfarë ndodh në fund. Çdo gjë në kohën e duhur,” u shpreh ai.

Sulmuesi kosovar shtoi se planifikimi i karrierës është tashmë një domosdoshmëri.

“Sigurisht që flas për të ardhmen me familjen dhe miqtë e afërt. Nuk jam më 18 vjeç, ndaj duhet të planifikoj karrierën dhe jetën. Duhet të di deri ku dua të shkoj, çfarë dua, të njoh veten dhe të zbuloj çfarë është e rëndësishme për mua, cilat janë prioritetet e mia.”

Asllani theksoi se për të, balanca mes futbollit dhe jetës personale është thelbësore, duke nënvizuar se një “jetë e mirë” jashtë fushës ndikon drejtpërdrejt edhe në suksesin sportiv, sepse “një gjë sjell tjetrën”.



Read it all at Bota Sot