Ofertë prej 800 mijë eurosh nga Ukraina për Fabrice Tambën e Shkëndijës

- Bota Sot

Ofertë prej 800 mijë eurosh nga Ukraina për Fabrice Tambën e Shkëndijës

Një ofertë serioze dhe financiareisht e rëndësishme ka mbërritur së fundmi në adresë të KF Shkëndija për sulmuesin Fabrice Tamba.

Bëhet fjalë për një ofertë zyrtare prej 800.000 eurosh nga klubi ukrainas FC LNZ Cherkasy, e ndërmjetësuar nga Prospects Management, agjenci transferimesh e drejtuar nga shqiptarë dhe me seli në Londër.

Oferta ishte dukshëm mbi vlerën aktuale të Tambës në “Transfermarkt”, ku ai vlerësohet rreth 600.000 euro, çka e bënte marrëveshjen mjaft të favorshme për klubin kuqezi.

Shkëndija e shqyrtoi me kujdes ofertën, veçanërisht duke marrë parasysh edhe kushtet shumë të mira personale të ofruara për futbollistin: kontratë 3 vjeçare e gjysmë, rritje page dhe bonuse të konsiderueshme në çdo sezon pasues.

Megjithatë, transferimi te FC LNZ Cherkasy përfundimisht nuk finalizohet. Shkaku kryesor është vonesa në procedurat nga ana e agjentit afrikan të lojtarit, gjë që bëri që drejtuesit e klubit ukrainas të tërhiqeshin nga negociatat. Ata kërkonin mbylljen e shpejtë të marrëveshjes, për shkak të planifikimit të fazës përgatitore dhe dëshirës së stafit teknik për ta pasur skuadrën të kompletuar që në ditën e parë të punës.

Pavarësisht dështimit të këtij transferimi, oferta prej 800.000 eurosh konfirmon rritjen e ndjeshme të vlerës së Shkëndijës së Tetovës, e cila tashmë ka kaluar shifrën 7 milionë euro në vlerën totale të skuadrës, si dhe rritjen individuale të Fabrice Tambës. Sulmuesi ka pasur paraqitje pozitive si në Kupat e Europës, përfshirë Conference League, ashtu edhe në kampionatin vendor.

Nuk përjashtohet mundësia që në merkaton e janarit të mbërrijnë oferta të reja për Tambën, dhe mbetet për t’u parë nëse ndonjëra prej tyre do t’i afrohet apo do ta kalojë shifrën e 800.000 eurove.

Në këtë proces, vlerësim i veçantë i takon Prospects Management, e cila po dëshmon prezencë serioze në tregun ndërkombëtar të transferimeve, duke mos u fokusuar vetëm në lëvizjen e futbollistëve shqiptarë jashtë vendit, por edhe në sigurimin e ofertave konkrete dhe të vlefshme për klubet tona, në këtë rast, për KF Shkëndija.



Read it all at Bota Sot