Me një super maqineri golash në skuadër, siç është Ajet Rexhepi, nuk kishte se si Shkëndija, gjenerata U16 e udhëhequr nga Ismail Ismaili, të mos shpallej kampione e vjeshtës në kategorinë e saj.
Talenti tetovar, në 15 ndeshje realizoi 20 gola me fanellën “kuqezi”, duke qenë violina e parë e skuadrës U16 të Shkëndijës, që në rradhët e saja ka edhe emra të spikatur, si Fisnik Amiti, Omer Ramadani apo edhe Arian Isaku.
“Jam tepër i lumtur për atë që arritëm si skuadër gjatë stinorit vjeshtorë. Besojmë fuqishëm se edhe në pranverë neve do shpallemi kampion” – tha fillimisht Ajet Rexhepi, i cili foli edhe për suksesin personal, si lider i golashënuesve te gjenerata U16, me 20 gola të shënuar, duke lënë pas sulmuesin e Vardarit, Ognen Jakov me 16 gola.
“Golat janë pjesë e futbollit.
Secili ka dëshirë të shënojë, mirëpo neve lojtarët e sulmit e kemi obligim që të shënojmë sa më shumë.
Unë besoj se kam bërë punën time, ajo që kërkohet nga trajneri, të cilin e falënderoj për besimin e dhënë, por gjithashtu edhe shokët e skuadrës, pasi pa ndihmën e tyre, vështirë që do arrija të shpallesha golashënuesi më i mirë i gjysmësezonit” – deklaroi Rexhepi, i cili dallon me eksplozivitetin e tij dhe nuhatjen për gol që ka.
ShkëndijaU16 u shpall kampione e vjeshtës me 42 pikë, 7 më shumë se Makedonija GJ.P e vendit të dytë. Vlen të theksohet se te kjo gjeneratë e “kuqezinjëve” nga Tetova, e udhëhequr nga Ismail Ismaili, me golat e tij spikati edhe Omer Ramadani, që në fund shënoi 15 gola, nga po aq ndeshje të zhvilluara.