Marco Ottolini është gjithnjë e më pranë rikthimit te Juventusi. Drejtuesi italian, i lindur në vitin 1980, ka zgjidhur zyrtarisht marrëdhënien kontraktuale me Genoa-n gjatë ditës së sotme, duke hapur rrugën për emërimin e tij si drejtor i ri sportiv i bardhezinjve.
Eksperienca e Ottolinit me “Grifonin” kishte përfunduar që në fund të tetorit, kur klubi ligurian vendosi ta largonte nga detyra si pasojë e rezultateve zhgënjyese në pjesën e parë të sezonit.
Një situatë që më pas solli edhe shkarkimin e trajnerit Patrick Vieira.
Megjithatë, bilanci i përgjithshëm i Ottolinit në Genoa mbetet pozitiv: ai ishte një nga arkitektët kryesorë të skuadrës që arriti menjëherë rikthimin në Serie A dhe që më pas siguroi mbijetesën në sezonet pasuese.
Tashmë, pas ndarjes zyrtare me Genoa-n, gjithçka është gati për rikthimin e tij tek Juventusi. Për Ottolinin bëhet fjalë për një kthim në një ambient që e njeh mirë, pasi më parë ka punuar për klubin torinez si skaut dhe më pas si përgjegjës i lojtarëve të huazuar. Pas tre vjetësh larg, ai pritet të nisë një kapitull të ri dhe më të rëndësishëm në hierarkinë drejtuese të klubit.
Sipas medieve italiane, Ottolini mund të firmosë dhe të prezantohet zyrtarisht para fillimit të muajit janar, në mënyrë që të jetë menjëherë operacional në merkaton e dimrit. Një lëvizje që synon t’i japë stabilitet dhe vizion të ri projektit sportiv të Juventusit në një moment delikat për klubin.