Liverpooli humbi Isak-un për dy muaj, Van de Ven kërkon falje

- Bota Sot

Liverpooli humbi Isak-un për dy muaj, Van de Ven kërkon falje

Mungesa e Alexander Isak do të peshojë rëndë te Liverpool-i për javët në vazhdim.

Sulmuesi suedez ka pësuar një dëmtim serioz në kyçin e këmbës, që do ta mbajë jashtë fushave për rreth dy muaj, duke hapur debat të fortë në Premier League për ndërhyrjen që çoi në këtë pasojë të rëndë.

Në qendër të vëmendjes është Micky van de Ven, mbrojtës i Tottenhamit, i cili ishte protagonist në duelin që shkaktoi frakturën e Isakut.

Futbollisti holandez ka dashur të sqarojë publikisht pozicionin e tij, duke folur për Sky Sports.

“I kam dërguar një mesazh sepse nuk ishte absolutisht qëllimi im ta lëndoja ose ta dëmtoja. Doja vetëm të bllokoja goditjen. Besoj se ishte thjesht fat i keq mënyra se si këmba e tij mbeti e bllokuar mes këmbëve të mia”, është shprehur Van de Ven. Ai ka shtuar se i ka uruar Isakut shërim sa më të shpejtë dhe se sulmuesi suedez e ka vlerësuar gjestin, duke iu përgjigjur mesazhit.

Megjithatë, pavarësisht këtij sqarimi mes dy lojtarëve, reagimi i trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, ka qenë tepër i ashpër. Tekniku i “Reds”-ave e ka cilësuar ndërhyrjen si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.

“Ishte një ndërhyrje e pamatur. Për disa faulle të tjera është folur shumë, edhe pse ishin të pavullnetshme.

Por nëse futesh në atë mënyrë dhjetë herë, në dhjetë raste ekziston rreziku real për t’i shkaktuar dëmtim shumë të rëndë kundërshtarit”, ka deklaruar Slot.

Isak iu nënshtrua ditët e fundit një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme, por periudha e rikuperimit do të jetë e gjatë, duke i shkaktuar Liverpoolit një mungesë të ndjeshme në repartin ofensiv në një moment delikat të sezonit.



Read it all at Bota Sot