Trajneri i Bayer Leverkusenit, Kaspar Hjulmand, ka thënë se fryma e mirë e ekipit është arsyeja kryesore e ngritjes së fundit të skuadrës.
Duke folur për gazetën gjermane "Kölner Stadt-Anzeiger", ai ka theksuar rëndësinë e ambientit dhe bashkëpunimit në futboll dhe në jetë.
“Futbolli është sport ekipor, udhëheqja është ekipore, edhe jeta është ekipore.
Për t’u zhvilluar sa më mirë, të duhet një ambient i mirë, një atmosferë si familje”, ka thënë trajneri danez.
Sipas tij, sa më i mirë të jetë ambienti, aq më të mëdha janë mundësitë për zhvillim personal dhe kolektiv.
Hjulmand ka treguar se, pasi mori drejtimin e Leverkusen, është përpjekur të krijojë një ndjenjë të fortë bashkësie brenda skuadrës.
“Ne kemi ndërtuar një kornizë me filozofi futbolli që secili duhet ta kuptojë qartë, në mënyrë që të dijë çfarë pritet nga roli i tij. Kur kjo funksionon, edhe individët duken më mirë”, ka deklaruar ai.
Trajneri pesëdhjetë e tre vjeçar ka theksuar se ka të njëjtën mënyrë të menduari me drejtuesit e klubit. “Ata më njohin, i njohin vlerat e mia dhe mënyrën se si e shoh futbollin. Jam shumë i vjetër për të bindur njerëz në futboll. Sinqerisht, nuk kam nevojë për këtë punë, mund të bëja edhe gjëra të tjera në jetë”, ka thënë Hjulmand.
Megjithatë, ai ka pranuar se e ka marrë drejtimin e Bayer Leverkusen sepse e sheh klubin si shumë ambicioz. “Është një klub interesant që ëndërron gjëra të mëdha dhe ka një frymë fantastike ekipore.
Më pëlqen kjo dhe ndjenja se të gjithë duam ta arrijmë suksesin së bashku”, ka shtuar ai.
Hjulmand e ka marrë drejtimin e Leverkusenit pas xhiros së dytë të kampionatit, ndërsa skuadra gjermane po e mbyll pjesën e parë të sezonit në vendin e tretë në tabelë.