“Bernabeu”, makinë e të ardhurave për Real Madridin

- Bota Sot

“Bernabeu”, makinë e të ardhurave për Real Madridin

Stadiumi “Santiago Bernabeu” pritet t’i sigurojë Real Madridit gati një të tretën e të ardhurave totale këtë sezon, në një buxhet të parashikuar rreth 1.25 miliardë euro. Sipas edicionit online të gazetës sportive spanjolle AS, rinovimi i madh i impiantit, megjithëse me kosto të lartë prej rreth 1.7 miliardë eurosh, “tashmë ka filluar të paguajë për veten”, me shifra që konsiderohen ëndërr edhe për klubet më të mëdha italiane.

Vetëm sezonin e kaluar, Real Madridi arkëtoi 79 milionë euro nga aktivitetet tregtare brenda stadiumit, ku 52 milionë erdhën nga turnetë me guidë, 15 milionë nga ngjarjet dhe koncertet, si dhe mbi 10 milionë euro nga restorantet.

Për këtë sezon, AS raporton se të ardhurat nga turnetë pritet të rriten me 31 për qind, duke kapërcyer edhe shifrat e një atraksioni simbol të Madridit si Muzeu Prado, i cili fitoi 27 milionë euro nga biletat në vitin 2023.

Rritje pritet edhe në sektorin e shërbimit ushqimor dhe në organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare. Ndërkohë, puna për izolimin e zhurmës po avancon, çka do të mundësojë rifillimin e koncerteve dhe do ta kthejë Bernabéun jo vetëm në një stadium futbolli, por në një motor ekonomik kyç për të ardhmen e Real Madridit.



Read it all at Bota Sot