Greqia drejt mbylljes së termocentraleve që përdorin qymyrgurin si lëndë të parë

- Bota Sot

Greqia drejt mbylljes së termocentraleve që përdorin qymyrgurin si lëndë të parë

Greqia po shkon me hapa të shpejtë drejt mbylljes në vitin 2026 të termocentraleve që përdorin qymyrgurin si lëndë të parë për prodhimin e energjisë elektrike.

Kjo reformë po shkakton papunësi dhe largim të fuqisë punëtore nga vendi.

Qytetet industriale rreth këtyre termocentraleve rrezikojnë të bëhen si Detroiti, metropoli amerikan i goditur nga rënia e industrisë automobilistike.

Në veri të vendit, aktualisht vetëm dy termocentrale me qymyrguri kanë mbetur funksionale. Njëri do të mbyllet në maj, ndërsa tjetri do të shndërrohet në gaz natyror deri në fund të vitit 2026.

Njëmbëdhjetë termocentrale kanë ndërprerë tashmë veprimtarinë në këtë rajon, i cili për dekada të tëra ishte qendra e prodhimit të energjisë nëpërmjet qymyrgurit në Greqi.

Kjo zonë ka shkallën më të lartë të papunësisë në Greqi, me 16.5%, dyfishi i mesatares kombëtare, sipas zyrës së statistikave.

Është gjithashtu rajoni që ka përjetuar rënien më të ndjeshme të popullsisë gjatë dekadës së fundit, me 10,1%.

Sipas vlerësimeve, më shumë se 10 mijë vende pune janë humbur tashmë dhe kjo shifër pritet të arrijë në 20 mijë sapo plani i tranzicionit të gjelbër të zbatohet plotësisht.

Vitin që po vjen, Greqia do të përfundojë heqjen e shpejtë të qymyrit nga përdorimi në funksion të tranzicionit energjetik. Në vend të qymyrit, ky shtet po ndërton kapacitete prodhimi të energjisë, kryesisht nëpërmjet parqeve me panele të energjisë diellore.

Prodhimi i qymyrit në Greqi ka rënë që nga fillimi i viteve 2000. Termocentralet tashmë janë shumë të kushtueshme për t’u përdorur, falë rregullave të reja për të reduktuar ndotjen. Greqia synon që, krahas mbylljes së dy termocentraleve të saj të fundit me qymyr, të ndalë edhe prodhimin e qymyrit nga shumica e minierave të saj, përfshirë një që është ndër më të mëdhatë në Evropë.

Maqedonia Perëndimore, një rajon pa dalje në det dhe me popullsi të rrallë, shumë në veri të Athinës, nxori qindra miliona tonë metrikë qymyr, duke prodhuar pjesën më të madhe të energjisë elektrike të Greqisë dhe duke sjellë edhe pasoja shkatërruese mjedisore dhe shëndetësore.



Read it all at Bota Sot